Konsullata amerikane në qytetin kinez Chengdu u mbyll zyrtarisht të hënën ndërkohë që marrëdhëniet SHBA-Kinë kanë rënë në nivelin më të ulët në mbi 40 vjet.
Kina mori nën kontroll mjediset pasi marinsat amerikanë në këtë qytet në jugperëndim të Kinës ulën flamurin amerikan që fluturonte mbi ndërtesë.
Postimet në median sociale të ambasadës amerikane në Pekin dhe postimet Twitter si dhe në gjigandin kinez të komunikimeve Weibo deklaronin se kjo konsullatë kishte avancuar marrëdhëniet mes dy vendeve që në 1985.
“Sot i lëmë lamtumirën Konsullatës së Përgjithshme në Chengdu. Do ia ndjejmë përgjithmonë mungesën,” thuhej në postime.
Mbyllja kurorëzon shkallëzimin e tensioneve mes dy vendeve, pasi kinezët morën urdhër për mbylljen e konsullatës së tyre në Hjuston dhe punonjësit në këtë konsullatë u panë duke djegur dokumente në oborr. SHBA akuzoi konsullatën se ishte përfshirë në spiunazh dhe vjedhje të pronës intelektuale.
Që nga vendosja e marrëdhënieve zyrtare diplomatike mes dy vendeve, tensionet janë shkallëzuar mbi tema të shumta. Por analistët thonë se mbyllja e konsullatës amerikane të hënën shënon një rënie në pikën më të ulët në historinë moderne./ VOA