Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, përmes një shkrese zyrtare, ka kërkuar nga kryetari i koalicionit fitues (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate ), të zgjedhjeve të fundit, Kadri Veseli, që të propozojnë kandidatin e ri për ta mandatuar për formimin e Qeverisë së Kosovës.
Në letrën e presidentit Thaçi drejtuar Veselit thuhet se si “koalicion fitues që kanë fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë, kanë të drejtën e propozimit të kandidatit të ri për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Diskutimet për formimin e qeverisë së re kanë ardhur pasi Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Kosovës më 19 korrik, pasi është thirrur nga Prokuroria Speciale në Hagë për t’u intervistuar në cilësinë e të dyshuarit për krime lufte.
Pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit të Kosovës, partitë politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës janë në pritje të ftesës nga presidenti i vendit, Hashim Thaçi, për konsultime lidhur me hapat e mëtutjeshëm.
Thaçi, konsultimet, fillimisht i ka nisur me përfaqësuesit e partive të vogla nga radhët e komuniteteve. Shumica e partive kanë thënë se duan zgjedhjet të parakohshme./ Opinion.al