Në nisje të muajit të ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u është drejtuar me një videomesazh të gjitha grave dhe vajzave.
Në këtë videomesazh Koçiu thekson se shtrirja e mbulimit me mamografi falas në te gjithë vendin si dhe zgjerimi i reparteve onkologjike në spitalet rajonale, kanë bërë që vit pas viti të rritet numri i diagnostikimeve të hershme, si dhe të ulet numri i fataliteteve.
Duke i ftuar të gjitha gratë dhe vajzat që të bashkëpunojnë me strukturat e shëndetësisë, ministrja nënvizon se diagnostikimi i hershëm mbetet kura më efikase dhe se mamografitë shpëtojnë jetë.
Ministrja e Shëndetësisë bëri thirrje që të gjithë gratë dhe vajzat të përfitojnë nga programi i mamografisë falas, të ofruar në të gjithë Shqipërinë, duke rezervuar takim për kontroll çdo ditë të vitit.
“Le të luftojmë së bashku tumorin e gjirit. Falë armëve dhe mjekëve tanë, kjo është një betejë që shumë nëna dhe gra po e fitojnë me sukses. Bashkojuni programit kombëtar të ndërgjegjësimit dhe diagnostikimit të hershëm të kancerit të gjirit. Duaje veten! Kontrollohu në kohë!”, e përfundon mesazhin Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.