Profesori dhe inxhinieri i Ndërtimit Arben Meçe, është shprehur se një pallat 12-katësh në lagjen 17 të Durrësit ka pësuar dëmtime të rënda në strukturën e tij.
Meçe u ka bërë thirre që ky pallat të inspektohet menjëherë pasi rrezikon jetën e njerëzve.
“Pallati 12 katësh me 285 hyrje në lagjen 17 të qytetit të Durrësit është në gjendje të rëndë. Strukturat shtetërore duhet të paraqiten menjëherë këtu. Është i vetmi pallat që kam parë deri tani në Durrës dhe ka dëmtime serioze në strukturë dhe në bërthamë”, tha inxhinieri Meçe.
Ndërkohë, vetë banorët shprehen se pallati është inspektuar nga një inxhinier i njohur dhe rezulton se ka dëmtime tepër serioze.
“Nga një inspektim i një inxhinieri të njohur dhe të nderuar, del se në pallate ka zhytje, në mënyrë të anuar. Po përpiqen që ta anashkalojnë. Të gjitha televizionet janë fokusuar në pallatet pa vlerë dhe me më pak dëme. Janë duke u përpjekur të shkëpusin vëmendjen”, deklaroi banori.
Qytetarët deklarojnë se ka dëmtime në pallatet që janë ndërtuar në lagjen 17 në rrugën Dali Peza. Siç shihet nga fotot, pallatet në rrugën “Dali Peza” kanë dëmtime tepër serioze./ Opinion.al