Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u kërkoi krerëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë që të ulin tensionet në Veri, teksa paralajmëroi se ata po rrezikojnë aspiratat e integrimit evropian.
“Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”, u tha Blinken gazetarëve në Oslo të Norvegjisë.
Këtë deklaratë Blinken e dha pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo.
Blinken tha se shumë aleatë u shprehën të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës.