Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kërkoi që autorët e sulmeve ndaj gazetarëve, efektivëve të policisë dhe trupave të NATO-s në komunat e veriut duhet të përballen me drejtësinë. Gjithashtu, kryetarja e shtetit kërkoi që sulmet e tilla të dënohen nga të gjithë.
“Strukturat ilegale serbe të kthyera në banda kriminale kanë sulmuar policinë e Kosovës, oficerët e KFOR-it dhe gazetarët. Këto akte të papranueshme dhune duhet të dënohen nga të gjithë. Ata që zbatojnë urdhrat e Vuçiçit për destabilizimin e veriut të Kosovës, duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi Osmani në rrjete sociale.
Gjatë shpërndarjes së protestuesve serbë, në veri, ushtarët e KFOR-it janë sulmuar me dhjetëra shok-bomba, mjete të forta dhe lëndë tjera djegëse.
Protestuesit kanë djegur edhe makinën e KFOR-it, në të cilën më herët kishin shkruar shkronjën Z, që është edhe simbol i rusëve në Ukrainë.