Bota

Tensione në Adriatik/ Si anijet ruse bllokuan lëvizjen e aeroplanmbajtëses amerikane



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 13:35 - 16/08/22 |
Opi Nion

Një artikull i medias prestigjoze italiane “La Repubblica” shkruan se si flota ruse dhe ajo e NATO-s u përballen me njëra-tjetrën në Mesdhe, duke arritur shpesh në distanca shumë të afërta.

Vetëm tre javë më parë anijet e Moskës kryen një operacion shumë të guximshëm. Ato u pozicionuan në atë mënyrë që të bllokonin Adriatikun dhe të pengonin lëvizjen e aeroplanmbajtëses amerikane “Truman”.

Një lëvizje strategjike, pasi ky është deti më afër fushëbetejave të Ukrainës, ai nga i cili raketat dhe aeroplanët teorikisht mund të ndërhyjnë më shpejt në vijën e betejës. Më 22 korrik, luftëtari “Ammiraglio Tributs” kaloi kanalin e Otrantos dhe u ngjit më në veri. Ai shkoi përtej Gargano dhe u vendos në brigjet e Abruzzo, i cili ishte populluar me njerëz për shkak të pushimeve verore. Por, ai nuk ishte vetëm. Nga pas ndiqej nga kryqëzori “Varyag”, me bateritë e tij të raketave me rreze të gjatë veprimi. Ai qëndroi përballë qytetit-port italian të Salentos, duke mbajtur nën vëzhgim rrugë-kalimin kyç për në Adriatik. Së bashku me të ishte edhe një luftanije e tretë, “Vasily Tatishchev”, e specializuar në spiunazh, dhe e pajisur me instrumente për të përgjuar komunikimet radio dhe impulset e sensorëve. Detyra e tij ishte të studionte “reagimet elektronike” të NATO-s ndaj këtij inkursioni provokues.

Për herë të parë, që nga fillimi i luftës, flota ruse nuk kishte hyrë kurrë në Adriatik. Disa herë anijet e Moskës kishin ardhur për të monitoruar nga afër, stërvitjet e Aleancës Atlantike, duke arritur deri në ujërat e Kalabrisë. Por ata nuk kishin guxuar kurrë të kryenin një “manovër bllokuese”, për të kufizuar lëvizjet e aeroplanmbajtëses amerikane “Truman”, mjeti kryesor i dislokimit të NATO-s në Mesdhe, i cili muajt e fundit shpesh ka lëvizur përgjatë një rruge nga Siçilia në Adriatik.

Nisma e Marinës Ruse solli nisjen e një dueli të gjatë në heshtje, me komandat e NATO-s të angazhuara për të demonstruar se nuk do të hiqnin dorë nga kontrolli i kalimit midis Jonit dhe Adriatikut. Kështu në ditët e fundit të korrikut kryqëzori “Varyag” u gjend më pak se njëqind kilometra larg atij amerikan “Forrest Sherman”.

Ata ishin praktikisht në të dy anët e kepit të Santa Maria di Leuca. Rusët në anën e Adriatikut, ndërsa amerikanët në anën e Jonit. Pak më në jug, aeroplanmbajtësja “Truman”, me afro gjashtëdhjetë avionë bombardues F18 Hornet dhe një eskortë të marinës amerikane.

Mes tyre ishte dhe një ekip i NATO-s – Grupi i Dytë Detar i Përhershëm – me luftarakë dhe fregata amerikane, italiane, spanjolle, turke dhe greke që më 25 korrik u mblodhën në Jon për të bërë një kuadrat rreth “Truman”.

Operacioni rus midis Pulias dhe Siçilisë

Operacioni rus u zbulua nga faqja “The Ship Yard Naval Consultancy”, e cila analizon informacionet nga satelitët komercialë dhe është e konfirmuar për Repubblica nga burime zyrtare. Por misionet e disa gjurmuesve – të përshkruara nga portali Itamilradar, kishin treguar se diçka po ndodhte mes Siçilisë dhe Pulias.

Në veçanti, më 31 korrik, një nga dronët më të mëdhenj amerikanë spiun GlobalHawk, i cili çdo ditë niset nga Sigonella për të shkuar në Detin e Zi për të monitoruar konfliktin ukrainas, patrulloi një pjesë të Jonit për orë e orë të tëra, duke vazhduar të fluturojë mbi një zonë specifike. E njëjta zonë, ku për tre ditë rresht ishin përqendruar  patrullimet e avionëve italianë P72.

Kryqëzori Varyag

Nuk dihet se cili është pozicioni aktual i anijeve ruse dhe nëse aktiviteti i tyre shoqërohej edhe me një nëndetëse. Megjithatë, 3 ditë më parë avionët italianë të zbulimit, kanë rinisur të patrullojnë më intensivisht ujërat mes Kalabrisë dhe Greqisë, duke u fokusuar në disa zona.  Dyshohet se të paktën një nga mjetet e marinës ruse ndodhet ende në zonë.

Kryqëzori “Varyag” është binjaku i “Moskva” , anijes të fundosur nga ukrainasit më 14 prill dhe është një nga anijet më të fuqishme në flotën e Putinit, me gjashtëmbëdhjetë raketa P-1000 Vulcan me rreze të gjatë veprimi, të dizajnuara për të shkatërruar aeroplanmbajtëset amerikane. Sipas propagandës ruse ato veprojnë së bashku “si një tufë ujqërish që sulmojnë gjahun e saj”.

Ata mund të godasin 500 kilometra larg, duke udhëtuar me tre herë shpejtësinë e zërit. Krahasuar me “Moskva”, “Varyag” do të kishte mbrojtje më të avancuar kundërajrore dhe radar.

Admiral Tributs 

Ndërsa , “Admiral Tributs” është një luftëtanije e shkëlqyer për luftën kundër nëndetëseve, e pajisur gjithashtu me raketa të dizajnuara për të rrëzuar anijet e lundrimit amerikan.

Dy anijet të ndërtuara në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, dhe që i janë nënshtruar disa herë modernizimit, janë një çift i përhershëm në flotën e Paqësorit. Ato u nisën dhjetorin e kaluar nga Vladivostok, porti përballë Japonisë dhe kaluan oqeanet për t’u vendosur në Mesdhe në funksion të pushtimit të Ukrainës.

Që atëherë ato kanë formuar “majën e sulmit” rus që lëviz nga Siria në Perëndim për të ndjekur Aleancën Atlantike, duke alternuar me ekipin tjetër të formuar nga kryqëzori “Slava”, një luftanije, dy fregata dhe një korvetë. Së fundi, të paktën dy nëndetëse të klasit “Kilo” të armatosura me raketa Kalibr po kryejnë ekspedita pranë Bosforit.

Këto duele deti tani janë të kufizuara në manovra, pak a shumë agresive, dhe në shkëmbime të impulseve të radarit, për të treguar aftësinë e goditjes së kundërshtarit.

Pak ditë më parë, një dokument strategjik nga Kremlini përsëriti rëndësinë e rrugëve të Mesdheut Lindor për “interesin kombëtar” të Rusisë. Ky qëllim i shtyn admiralët e Putinit të nisin një Luftë të retë Ftohtë me tension të lartë gjithnjë e më shpesh në detet italiane./Opinion.al

 

Pas