TIRANË- Bashkëshortja e Carlo Bollinos, gazetarja Alba Malltezi ka reaguar ndaj akuzave që ish-Kryeministri Berisha bëri ndaj të shoqit. Përmes një statusi në Facebook, Malltezi thotë se “Carlo nuk ka marrë pjesë në tenderin e dekoderave”. Sipas saj, Berisha vazhdon të shpifë dhe të sulmojë prej vitesh për shkak të medias së lirë që ata kanë ndërtuar.
Statusi i plotë i Alba Malltezit në Facebook
Unë nuk e di nëse Shqipëria do të ishte më e mirë me të vërtetat dhe gënjeshtrat e Sali Berishës. Di që qysh nga 1994, kur në Gazetën Shqiptare të themeluar e drejtuar nga Carlo shkruhej për kontrabanden e naftës drejt Malit të Zi, Referendumin e humbur, Piramidat… deri tek të vërtetat e 21 Janarit, nuk e di pse, por e kemi shqetësuar.
Dhe Berisha vinte në levizje gjithë altilerinë e tij të shpifjeve: Mafioze, Kreu i Sacra Corona Unita, trafikant droge… Kanë ndryshuar kohët, por jo shpifjet e Berishes, si kjo e fundit… Tani ka dy vjet që flet për afera miliona euro, sepse logjikon sipas parametrave të tij për korrupsionin… Uroj që këto shpifje t’i bien në kurriz e ta përulin, ta palosin nën rëndesën e turpit të një njeriu që i ka bërë dëmin më të madh fjalës: E ka zhvlerësuar duke përzier rrena me të vërteta. I vërtetë mund të jetë tenderi, rrenë është pjesëmarrja e Carlos. Nuk e di pse e sikletosim kaq shume këtë njeri, sa ta detyrojmë të mos e zërë gjumi e të sajojë gënjeshtra edhe në pleqëri.