Vijon operacioni policor i koduar “Tempulli”. Policia bën me dije se është në pranga 27-vjeçari me iniciale V.K., i cili ishte shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Sakaq, raportohet se në kuadër të këtij megaoperacioni numri i personave të ndaluar ka shkuar në 101.
Njoftimi i policisë
Në vijim të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli” është vënë në pranga 27-vjeçari me iniciale V.K., i cili ishte shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Policia njofton se i riu është ndaluar në rrugën “Mylsym Shyri” në Tiranë. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për veprën penale “prodhim dhe shitja e narkotikëve”.
Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të këtij megaoperacioni, ndërsa numri i personave të ndaluar në kuadër të “Tempullit” ka shkuar në 101.
Më parë, gjatë zhvillimit të këtij operacioni, janë sekuestruar 10 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis sativa, 3.7 kg kokainë, 150 doza heroine, 1 armë zjarri pistoletë, 12 automjete, 78 celularë, 12 peshore elektronike, 3 motomjete, 30 000 euro, 6000 paund, 4 500 000 lekë dhe 12 targa automjetesh.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.