Bota

Temperaturat e larta/ Thahen lumenjtë në botë, ja si duken 6 prej tyre



Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 21:21 - 20/08/22 |
el ida

Mungesa e reshjeve të shiut dhe valët e pamëshirshme të të nxehtit duket se po thajnë lumenjtë në SHBA, Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Shumë prej tyre po zvogëlohen në gjatësi dhe gjerësi, duke bërë që pjesët e shtratit të lumenjve që dalin mbi ujë të kthehen në një pamje të zakonshme.

CNN shkruan se disa lumenjjanë tharë aq shumë, saqë janë bërë praktikisht të pakalueshëm nga anijet tregtare dhe ato turistike.

Kriza klimatike e shkaktuar nga njeriu po nxit motin ekstrem në të gjithë globin, i cili nuk po ndikon vetëm te lumenjtë, por edhe tek njerëzit që mbështeten tek ata. Shumica e njerëzve në planet varen nga lumenjtë në një farë mënyre, qoftë për ujë të pijshëm, për vaditje apo për energji për transportin e mallrave.

Shikoni se si duken gjashtë prej tyre të parë nga hapësira

Lumi Kolorado

Lumi Kolorado po thahet në shtratin e tij dhe sasia e ujit po rrallohet, pasi një thatësirë e pa regjistruar më parë në perëndim të SHBA-së nuk po tregon shenja ndalimi. Lumi furnizohet nga dy prej rezervuarëve më të mëdhenj të vendit dhe për të mbrojtur pellgun e lumit, qeveria ka zbatuar ndërprerjet e detyrueshme të ujit dhe u ka kërkuar shteteve të hartojnë plane veprimi shtesë.

Një prej rezervuarëve, Liqeni Mead, po zvogëlohet në madhësi teksa nivelet e ujit po bien deri në pikën ku rezervuari nuk do të jetë aq i lartë sa të lëshojë ujë në rrjedhën e poshtme përmes një dige. Nivelet e tij të ujit kanë qenë në një prirje rënëse që nga viti 2000, por kanë pasur një rënie më të madhe që nga viti 2020.

Niveli i ujit ka rënë aq shumë vitin e fundit sa kanë dalë në dritë zbulime të frikshme duke përfshirë këtu edhe një fuçi me pjesë trupi njerëzore që dyshohet se është hedhur në liqen dekada më parë.

Sakaq, pasojat e krizës së lumit Kolorado janë të mëdha, kjo pasi rreth 40 milionë njerëz në shtatë shtete dhe Meksikë mbështeten te prurjet e ujit të lumit për bujqësi dhe energji elektrike.

Lumi Yangtze

 

 

Lumi Yangtze në Azi po ashtu po thahet në brigjet e tij dhe shtrati i tij po shfaqet në disa zona. Degët e lumit Yangtze janë tharë intensivisht duke bërë që Kina të shpallë një alarm mbarëkombëtar për thatësirën për herë të parë në nëntë vjet.

Ndikimi i tharjes së Yangtze ka qenë i madh. Në një provincë me 84 milionë banorë, hidrocentralet përbëjnë rreth 80% të kapacitetit të energjisë elektrike. Pjesa më e madhe e kësaj vjen nga lumi Yangtze dhe ndërsa rrjedha e tij ngadalësohet, prodhimi i energjisë elektrike është zvogëluar, duke i lënë autoritetet të urdhërojnë mbylljen e të gjitha fabrikave për gjashtë ditë.

Lumi Rhine

Lumi Rhine fillon në Alpet zvicerane, rrjedh përmes Gjermanisë dhe Holandës dhe më pas derdhet deri në Detin e Veriut. Është një kanal i rëndësishëm ujor në Europë, por tani për tani është kthyer në një makth për të lundruar.

Pjesë të shtratit të lumit janë shfaqur mbi sipërfaqen e ujit duke krijuar vështirësi dhe vonesa për anijet që përpiqen ta kalojnë atë.

Lumi ka shumë matës të nivelit të ujit gjatë rrugës, duke përfshirë Kaub, në perëndim të Frankfurtit, Gjermani, ku nivelet e ujit kanë rënë deri në 32 centimetra. Kompanitë e transportit në përgjithësi konsiderojnë çdo gjë më pak se 40 cm në Rhine shumë të ulët për t’u shqetësuar, dhe në Kaub, më pak se 75 cm zakonisht do të thotë që një anije me kontejnerë duhet të zvogëlojë ngarkesën e saj në rreth 30%, sipas ekonomistëve të Deutsche Bank.

Lumi Po

Lumi Po përshkon majën e Italisë dhe derdhet në lindje në detin Adriatik. Lumi ushqehet nga bora e dimrit në Alpe dhe reshjet e shiut në pranverë. Kjo rrjedhë është e famshme për problematikat që shfaq me përmbytjet pranë zonave ku kalon, por këtë verë situata ka ndryshuar rrënjësisht.

Dimri ishte i thatë në Italinë veriore, kështu që bora siguroi pak ujë së bashku me pranverën dhe verën që kanë qenë gjithashtu të thata, duke e zhytur rajonin në thatësirën më të keqe që ka përjetuar në shtatë dekadat e fundit.

Lumi është tharë deri në pikën ku është arritur të zbulohet një bombë e Luftës së Dytë Botërore.

Një problem i madh është se miliona njerëz mbështeten në lumin Po për jetesën e tyre, kryesisht përmes bujqësisë, ku rreth 30% e ushqimit të Italisë prodhohet përgjatë kësaj rrjedhe.

Lumi Loire

Lumi Loire në Francë mirëmban një luginë me vreshta që prodhojnë disa nga verërat më të famshme në botë. Lumi shtrihet mbi 600 milje dhe konsiderohet lumi i fundit i egër i Francës.

Disa pjesë të lumit janë tashmë mjaft të cekëta, por nivelet dhe rrjedha e tij mund të ndryshojnë me shpejtësi me motin dhe me shkrirjen e borës në burim. Disa pjesë janë tharë aq shumë nga mungesa e shiut dhe nxehtësia ekstreme, saqë njerëzit mund të kalojnë me këmbë në anën tjetër të tij.

Ndërkohë, autoritetet po marrin masa duke lëshuar ujë nga digat në lumë, kryesisht për të siguruar që ka mjaftueshëm për të ftohur katër termocentrale bërthamore që ndodhen përgjatë tij.

Lumi Danub

Danubi është lumi më i gjatë i Evropës Perëndimore dhe një kanal i rëndësishëm i transportit detar që kalon nëpër 10 vende. Në Rumani, Serbi dhe Bullgari, punëtorët po gërmojnë lumin vetëm për t’u siguruar që anijet ende mund ta lundrojnë atë.

Lumi nuk është në një gjendje aq të rëndë sa disa nga lumenjtë e tjerë të Evropës, por vende si Hungaria janë kaq të varura nga Danubi për turizmin, saqë pasojat kanë filluar të ndihen në ekonomi. Sipas bordit turistik të vendit, një anije mesatare prej 1600 tonësh tani mund të lundrojë vetëm në pjesën hungareze pa asnjë ngarkesë./Opinion.al

Pas