Nga Gerta Zaimaj
Ndikimi i telefonit kryesisht tek të rinjtë ka arritur në nivelin e varësisë. Kështu telefoni është bërë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, ndonjëherë vetë puna jonë ndodhet brenda tij. Sot pa telefon është e rrallë të shohësh njeri, sidomos kur bëhet fjalë për të rinjtë.
Por çfarë ka brenda atij telefoni i cili është kthyer tashmë në një ‘virus’? Veç mesazheve, dhe thirrjeve, sot telefonat janë të pajisur me shumëllojshmëri programesh të quajtura aplikacione që vijnë si rezultat i pajisjes së tij me internet. Rrjetet sociale zënë vendin e parë për nga përdorueshmëria tek të rinjtë, ata i përdorin për shpërndarjen masive të informacioneve nga webet, përmbajtjeve multimediale – foto dhe video – zbavitje, komentim dhe bisedim. Ndaj për orë e orë të tëra ata navigojnë e nuk mund ti shkëputësh nga telefoni.
Në baze të një statistike të publikuar nga “Economist” përdorimi i telefonit ka një nivel maksimal tek adoleshentet ( 98% ), vjen duke zbritur paksa ne moshat 18-29 vjeç ( 97% ), tek moshat 30-44 behet 94% dhe ka një zbritje me domethënëse në moshat më të rritura : 80% për moshat 45-64.
Por përveç anëve pozitive do të doja të ndalesha tek anët e tyre negative. Përdorimi i tepruar i rrjeteve sociale gjithnjë e më shumë po e pamundëson kontaktin direkt mes njerëzve, duke krijuar një kontakt virtual i cili po kontribuon masivisht dhe shpejtë në humbjen e komunikimit të drejtpërdrejt.
Shpesh herë ndodh që të rinjtë, informacionet të cilat i marrin përmes rrjeteve sociale, mund t’i keqkuptojnë ose keqinterpretojnë, e kjo varet prej kontestit se si dikush e ka përdor materialin të cilën e ka ndarë tashmë në rrjet.
Por përtej kësaj ka edhe disa rreziqe të tjera të cilat nuk po i pohoj unë, por ata që i shpikën, i pasuruan, i përsosën për të mirë të emancipimit njerëzor, duke hapur një epokë të re të komunikimit dhe të modeleve sociale. Komunikimi në mediat sociale duke qenë virtual, pra në fakt një realitet i dytë, që në njëfarë mënyre e dublon realitetin, ka rrezik të mbyllet brenda vetes dhe të shkëputet nga realiteti. Pra kjo e çon audiencën drejt individualizmit dhe virtualizmit total. Siç shkruan edhe Artan Fuga se midis botës reale dhe botës virtuale krijohet kështu një hendek i madh. “Rënia në monologun komunikativ nuk përjashton as mediat sociale, bile edhe më shumë sesa mediat konvencionale. Në qytetin virtual janë ngritur njëkohësisht edhe mure të lartë që ndajnë “lagjet” e tyre si vagona treni apo si kuti sardelesh. Qeli burgjesh virtuale, ndërkohë që qyteti real është më i hapur”. Të gjithë duken sikur jetojnë në botën e tyre, janë rehat në universin e miqve të tyre.
“Jetojmë kështu në një botë të Pipi Çorapegjatës, pra në një vend përrallash, larg realitetit”, shkruan më tej Fuga. Sepse sot gara për jetën është zhvendosur në botën virtuale. Aty ekspozohen dreka e darkat, qoftet dhe birrat, aty na dalin dhurata e shtrenjta dhe e të lira të shënvalentinit. Bile në fillimet e hapjes së facebook-ut hasje edhe njerëz të cilët e bënin një gjë, vetëm që ta hidhnin në facebook.
Pra e gjithë jeta është shkëputur nga realiteti siç thekson fort edhe Umberto Eco në një editorial ku shkruan se “nga veprimtaria ata largohen duke marrë me vete ndonjë imazh, por pa kuptuar asgjë se ç’a u tha apo se ç’a u bë. Sikundër e marr me mend, se teksa këta njerëz i bien botës rrotull duke fotografuar çfarë u sheh syri, ata janë të dënuar që të nesërmen ta harrojnë ç’mund të shohin një ditë më parë”. Që do të thotë se tanimë facebook apo instagram po “shijon” më tepër se vetë ne, drekat e darkat tona, sepse nuk është e pa zakontë që teksa sot ulen me miqtë, nuk e ka njeri mendjen tek tavolina dhe diskutimi i përbashkët, por secili me telefon futet në botën e tij. Prandaj edhe nuk do ta teproja po të thosha se këta persona të ulur në të njëjtën tavolinë do ta kishin më të lehtë të merreshin vesh më mirë nëpërmjet telefonit se sa drejtpërdrejtë.
Por nuk mbaron me kaq, përditë shohim nëpër rrjete sociale urime me fjalë të ndjera, romane të stërzgjatura për festat apo ditëlindjet e prindërve, gjyshërve e të afërmve të tjerë, por vë në dyshim se këto ju janë thënë drejtpërdrejtë. E një gjysh që nuk ka facebook mund të mos i mësoj kurrë gjithë këto fjalë të mira dhe urime që i vijnë nga mbesa apo nipi i tij. Ja pra e gjitha është zhvendosur në një tjetër botë,nuk merret më njeri me komunikimin e drejtpërdrejtë.
Kulmi arrin kur edhe ngushëllimet për një njeri që ndërron jetë të priten në facebook, sepse është bërë e modës, që atyre që u ndodh fatkeqësia, e cila pa diskutim ka shkaktuar dhimbje, shumë nga përdoruesit e facebook, vënë si të ashtuquajtura foto e profilit një shirit të zi, që simbolizon zi. Aty dhimbja merr pastaj përmasa të tjera, sepse i njohur dhe i panjohur bashkohen me hidhërimin tënd. Pyetja është se sa mund të ngushëllojnë ato komente dhimbjen tënde? Sepse e dimë shumë mirë që edhe fizikisht të jenë aty të pranishëm, nuk të hyjnë ne sy gjatë atyre momenteve asnjë fjalë e tyre. Po hajde e merre vesh se pse disa i presin ngushëllimet në fb !!!
Jemi në situatën kur ngjarja e mediave sociale triumfon mbi atë të jetës reale. Sepse në ambiente të ndryshme shikon njerëz që ecin me kokën poshtë dhe sytë tek telefoni. Këtu na vjen në ndihmë Marshall McLuhan kur përmend se “mediumi është vetë mesazhi”, çka do të thotë se mediumet, siç është edhe telefoni e më tej rrjetet sociale kanë ndikim të madh tek shoqëria që e përdor atë, jo vetëm për shkak të përmbajtjes, por edhe për shkak të karakteristikave të vetë mediumit.
Pyetja është se ku do na çojnë ky zhvillim i teknologjisë më hapa të mëdhenj? A do të jetë njerëzimi në gjendje të përballoj një sfidë të tillë dhe të mos gjendet një ditë të bukur në një kolaps total? Çfarë do të bëhet me “sindromën e telefonave”?
Ndaj një këshillë është e vlefshme në këtë rast: Hiqeni atë telefon! Përpiquni të përdorni telefonin në mënyrë të moderuar, kushtojini vëmendje dhe emocion momenteve të pa përsëritshme në jetën reale. Sepse teknologjia mund të jetë kënaqësi, por realiteti është lumturi./opinion.al