Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca komentoi debatin e fundit që ka përfshirë politikën në javët e fundit për Teatrin Kombëtar.
Ai tha se nuk është BE-ja ajo që duhet të thotë nëse duhet të ketë një ndërtesë të re ose jo, pasi këtë e kanë përgjegjësi autoritetet shqiptare, por kishte vetëm një kërkesë, respektimin e standardeve europiane për tenderin dhe konkurrencën e lirë.
“Dëshiroj të them se kjo është çështje shumë e rëndësishme edhe është pjesë e një debati intensiv që po bëhet në shoqërinë shqiptare ku janë përfshirë shumë ndjesi edhe interesa. Për këtë arsye është një çështje delikate edhe e politizuar. Nuk duhet të jemi ne ata që themi nëse duhet të ketë një ndërtesë të re ose jo, këtë e kanë përgjegjësi autoritetet shqiptare. Ashtu sikur e dini edhe ju pozicioni ynë ka qenë i qartë që nga shtatori i vitit të shkuar, BE i ka bërë thirrje qeverisë që të jenë transparent edhe pa qasje diskriminuese në treg. Ky duhet të jetë parimi që duhet të udhëheqë autoritetet shqiptare, prandaj është lancuar edhe tenderi për më tej. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të ketë kritere të qarta edhe transparente, edhe të ketë një qasje të drejtë për këtë çështje. Ajo që është e rëndësishme për ne është sundimi i ligjit, procedurat e tenderit duhet të jenë në përputhje me ato të BE-së, mesa di tenderi është i hapur deri në 19 shtator. E rëndësishme është edhe konkurrenca e lirë dhe e drejtë” tha ai.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama vijon të publikojë mesazhe të artistëve lidhur me domosdoshmërinë e ngritjes së teatrit të ri. Paraditen e së hënës, kreu i qeverisë ka postuar në Facebook një deklaratë të dhënë nga regjisori Altin Basha.
“Regjisori Altin Basha, një ndër emrat më të spikatur të gjeneratës së re të krijuesve të skenës, mbështet njësoj si shumica dërrmuese e komunitetit teatror shqiptar, ndërtimin e Teatrit të Ri Kombëtar dhe shembjen e gërmadhës ekzistuese”, shkruan Rama në rrjetin social./ Opinion.al