Të paktën 22 persona janë vrarë dhe disa dhjetëra të tjerë janë plagosur të mërkurën pasi një person qëlloi me armë zjarri në qytetin Leëiston të shtetit Maine, të SHBA.
Departamenti i policisë në Lewiston identifikoi në rrjetin Facebook një person që besohet se ka lidhje me të shtënat masive në një bar.
Robert Card, 40 vjeç, dyshohet të jetë autori, i armatosur dhe i rrezikshëm, tha policia.
Policia e shtetit Maine dhe një sherif i qarkut raportuan më herët për një sulmues por pa dhënë detaje.
“Në Lewiston ka një sulmues aktiv”, shkroi në rrjetin X policia e shtetit Maine, duke u kërkuar banorëve që të mbylleshin në shtëpi ndërsa organet e rendit po hetonin të shtënat në disa vende.
Organet e rendit postuan në rrjetin Facebook dy foto të një të dyshuari, duke thënë se ende nuk ishte kapur.
Spitali i qytetit Lewiston tha përmes një deklarate se: “po reagonte ndaj një sulmi masiv me viktima të shumta dhe po koordinohej me spitalet e zonës për pranimin e pacientëve”.
Gazeta e qytetit Lewinston “The Sun Journal” citoi zëdhënësin e policisë të ketë thënë se ishin regjistruar incidente me të shtëna në tre zona të ndryshme.