Jozefina Topalli, Majlinda Bregu, Astrit Patozi, etj. munguan sot në ceremoninë përkujtimore për Azem Hajdarin që u zhvillua rreth orës 11:00 tek memoriali i tij në Tiranë. Ceremonia u transmetua live në TV dhe ra në sy mungesa e figurave të vjetra të PD që Basha nuk i kandidoi për deputetë. Ende nuk ka një shpjegim nga ana e tyre për mungesën tek homazhet e Azemit.
Sakaq aty ishin Berisha, Basha, familjarët dhe deputetet e rinj të PD-së.
Pjesë nga fjala përshëndetëse e Bashës
Të dashur familjarë të azem Hajdarit dhe të Besnik Çerjes.
Jemi mbledhur sot si çdo 12 shtator për të përkujtuar tribunin e Lëvizjes Studentore, Azem Hajdarin dhe mikun dhe bashkëluftëtarin e tij Besnik Çerjen.
Vit për vit, ndërsa dielli i demokracisë shndrit apo fshihet pas reve të zeza të krimit dhe korrupsionit, ne vijmë këtu jo thjesht për të përkujtuar dhe ndarë së bashku dramën e 12 shtatorit, por për të celebruar kujtimin, forcën, kurajën ndaj Azem Hajdarit atë ç’ka ai përfaqëson: luftën pa kompromis, luftën kundër vesit, krimit dhe drogës në pushtet, bashkimin ndaj vlerave më të mira dhe shumë e më shumë se kaq, mirënjohjen dhe krenarinë, sensin e krenarisë që na bashkon dhe bashkon përjetë.
Vijmë këtu përulësisht dhe vendosmërisht.
/Opinion.al