Bota

Të gjitha detajet për zgjedhjet Europiane të 2019


               Publikuar në : 11:11 - 27/05/19 |
Al Do

Dominancës 40 vjeçare të dy partive kryesore të qendrës në Parlamentin Europian i erdhi fundi pas natës së mbrëmshme. Me një pjesëmarrje rekord votuesish, rritjen më të madhe e patën partitë e gjelbra dhe ato të ekstremi të djathtë.

Më poshtë po sjellim atë se çfarë ka ndodhur në këto zgjedhje për çdo shtet anëtar të BE.

Austria

Partia Popullore e Kancelarit Sebastian Kurz ka dalë më e votuara në këto zgjedhje me 34.9% të votave. Ajo ndiqet nga Socialdemokratët me 23.4% dhe partia e ekstremit të djathtë, Partia për Liri me 17.2%. Rezultati i kësaj të fundit është goditur nga skandali që përfshiu kreun e saj, Heinz-Christian Strache, i cili disa javë më parë u përfshi në një video skandal që i kushtoi edhe postin e zëvendës kancelarit.

Belgjika

Në Belgjikë rezultatet paraprake nxjerrin fitues separatistët e moderuar, Partia e Flandërve NVA, me 13.5% të votave. Partia Vlaams Belang e cila është kundra emigrantëve doli e dyta me 11.4% ndërsa Partia Socialiste u rendit e treta me 10.5%. Partia Liberale e kryeministrit  Michel u rendit në vendin e shtatë.

Bullgaria

Megjithëse votimi në Bullgari është i detyrueshëm, pjesëmarrja në votime ishte vetëm 30.83%. Siç pritej edhe nga sondazhet, votat në Bullgari u ndanë ndërmjet partisë së qendrës së djathtë (30.6%) dhe koalicionit socialist (26.42%). Bullgaria ka edhe deputetin e më të ri në PE, 30 vjeçarin Andrey Novakov.

Koracia

Rezultatet paraprake në Kroaci nxjerrin fitues koalicionin qeverisës, Bashkimi Demokrat, me 22.71% dhe në vend të dytë renditet Partia Socialdemokrate me 18.69% të votave. Partia Konservatore e Kroacisë, që është e pozicionuar djathtas renditet e treta me 8.49% të votave.

Qipro

Në Qipro partia DISY, e cila qeveris vendin ka marrë pjesën më të madhe të votave (29%) që i korrespondon edhe rezultatit të vitit 2014. Partia komuniste AKEL, ka dalë e dyta me 27.5% të votave dhe lideri i saj, Niyazi Kizilyurek, bëhet i pari qipriot me origjinë turke që zgjidhet si eurodeputet.

Republika Ceke

Partia qeverisëse e qendrës së djathtë, ANO, ka patur rritje në këto zgjedhje Europiane. Ato e kanë shtuar përfaqësinë e tyre në parlament me 2 eurodeputet, duke e çuar në 6 numrin total. Në vend të dytë ka dalë Partia Demokratike Civile e krahut të djathtë e cila ka dyfishuar përfaqësuesit në 4 deputetë.

Danimarka

Socialdemokratët janë në krye të votimeve më 23.5% duke lënë pas partinë qeverisëse të qendrës së djathtë e cila ka marrë vetëm 21.5% të votave. Të gjelbrit në Danimarkë kanë fituar për herë të parë një vend në parlament duke marrë 11% të votave.

Estonia

Partia liberale Reforma ka mbajtur vendin e parë me 26.2% të votave. Të dytët në këto zgjedhje kanë dalë Socialdemokratët me 23.3%. Partia e ektremit të djathtë ka trefishuar votat duke dalë e katërta me 12.7% dhe kjo e bën që të ketë një përfaqësues në parlament.

Finlanda

Partia e qendrës së djathtë, Koalicioni Kombëtar, ka marrë më shumë vota në Finlandë (20.8%). Të gjelbrit kanë dalë të dytët dhe Socialdemokratët të tretët me respektivisht 16% dhe 14.6% të votave.

Franca

Kur janë numëruar tashmë 91% të votave, partia e ektremit të djathtë e Marine Le Pen kryeson këto zgjedhje me 24.08%. Partia e presidentit Macron vjen e dyta me 21.89%. Surpriza kanë qenë të gjelbrit të cilët u renditën të tretët me 13.14% të votave.

Gjermania

Alenaca CDU/CSU është në vend të parë me 28% të votave por ajo që bie më shumë në sy është rritja e madhe e votave për të gjelbrit të cilët mbajnë vendin e dytë me 21.8% të votave. Partia e ektremit të djathtë ka arritur të marrë 10.5% të votave duke u renditur në vend të katërt.

Greqia

Kryeministri Alexis Tsipras, bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme për shkak të humbjes së thellë përballë konservatorëve në opozitë. Partia Demokracia e re (33.3%) mundi Sirizën me 23.8% votave.

Hungari

Partia e djathtë Firdez është rikonfirmuar në vend të parë me një rezultat bindës, 52.14% të votave. Në vend të dytë në Hungari ka dalë Koalicioni Demokratik me 16.26% të votave.

Irlanda

Në Irlandë dy partitë GUE/NGL dhe EPP do të ndajnë nga 4 vende në PE ndërsa të gjelbrit kanë rritur rezultatin e tyre duke u renditur të tretët me 2 vende në parlament.

Italia

Liga e Veriut e Matteo Salvinit ka prevaluar ndaj Lëvizjes me Pesë Yje duke dalë në vend të parë me 33.6% të votave. Në vend të dytë ka dalë partia e qendrës së djathtë, Partia Demokratike me 23.5% ndërsa LPY ka dalë e treta (16.6%).

Letonia

Partia liberale konstervative, Uniteti i Ri ka fituar vendin e pare megjithëse kanë marrë më pak vota se zgjedhjet e kaluara duke marrë 26% nga 46% që kishte 5 vite më parë. Socialdemokratët vijnë të tretët me 17.5% të votave.

Lituania

Partia e qendrës së djathtë raportohet të jetë fituese e këtyre zgjedhjeve me 17.41% të votave, ndjekur nga Socialdemokratët me 16.9% dhe të gjelbrit me 13.93% të votave.

Luksemburg

Partia liberale Demokrate dhe konservativët e CSP-së do të ndajnë dy nga dy përfaqësitë në PE duke marrë respektivisht 21.44% dhe 21.1% të votave.

Malta

Partia e kryeministrit Muscat ka marrë 55.9% të votave ndërsa Partia Nacionaliste ka zbritur në vend të dytë me 36.2%.

Polonia

Partia Socialiste është në vend të parë me 33.8% të votave duke lënë mbrapa Socialdemokratët (22.6%). Blloku i Majtë mori vetëm 9.6% të votave duke u renditur i treti.

Rumania

Partia qeverisëse ka pësuar një rënie të konsiderueshme duke u renditur e dyta me 24.8% të votave, pas Partisë Liberale pro Europiane e cila ja doli të marrë 27.8% të votave.

Sllovakia

Partia e Presidentes së sapozgjedhur, Zuzana Caputova ka fituar zgjedhjet Europiane në Sllovaki duke marrë 20.1% të votave. Socialdemokratët janë renditur të dytët (15.7%) dhe të tretët radikalët e djathtë me 12.1% të votave.

Sllovenia

Në Slloveni nuk ka patur supriza përsa i përket vendit të parë pasi Partia Demokrate ka ruajtur rezultatin e 2014 me 26.48% të votave. Socialdemokratët vijnë të dytët me dyfishin e votave nga zgjedhjet e kaluara, 18.57%.

Spanja

Partia Socialiste e kryeministrit Pedro Sanchez ka marrë një rezultat bindës (32.9%) duke u rritur me 10% dhe duke lënë mbrapa Partinë Popullore e cila vjen e dyta me 20.1% të votave. Partitë e ekstremeve pësuan rënie të votuesve këto zgjedhje.

Suedia

Nga rezutatet paraprake, Socialdemokratët janë në avantazh me 24% të votave kundrejt ndjekësve më të afërt, Partia Moderuar me 17% të votave. Në Suedi kanë zhgënjyer të gjelbrit të cilët kanë dalë katërtit me 11% të votave, 4% më pak nga 2014.

Holanda

Partia pro europiane e majtë ja ka dalë të marrë një rezultat surprizues me 19% të votave në Holandë. Partia e kryeministrit Rutte vjen e dyta me 14.6% ndërsa radikalët e Gerd Ëilders kanë qenë humbësit e mëdhenj me vetëm 3.5% nga 13.2% që kishin  zgjedhjet e shkuara.

Britania e Madhe

Partia e Brexit e drejtuar nga Nigel Farage është duke kryesuar me 31.6% të votave. Liberal Demokratët renditen të dytët me 20.3% ndërsa Partia Laburiste vjen e treta me 14.1%. /Përgatiti për Opinion.al Aldo Baxhaku

Pas