Nëntë emigrantë, mes tyre tre burra, dy gra dhe katër të mitur ishin bllokuar në një arkë druri, në një kamion të drejtuar nga një kontrabandist nga Ukraina. Ata u shpëtuan nga policia kroate, e cila e gjeti arkën gjatë një kontrolli në autostradën Zagreb-Lipovac.
“Arka ishte e mbyllur, dhe prej saj dëgjoheshin zërat e shqetësuar. Hapja e saj, mundësoi gjetjen dhe ndoshta shpëtoi jetën e nëntë shtetasve të huaj”, tha ministria e Brendshme kroate, teksa shtoi se emigrantëve iu është ofruar menjëherë ndihmë mjekësore.
Hetimet zbuluan se të gjithë shtetasit e huaj kishin kaluar kufirin shtetëror kroat në mënyrë të paligjshme. Ata u ndihmuan nga shoferi i kamionit, një 21 vjeçar ukrainas, i cili u arrestua pasi kishte kryer veprën penale të hyrjes, lëvizjes dhe qëndrimit të paligjshëm në Republikën e Kroacisë.
Mijëra migrantë nga Lindja e Mesme dhe Azia jugore udhëtojnë përmes Ballkanit, me synimin për të arritur në Evropën perëndimore. Kryesisht ata kalojnë nga Kroacia, drejt Sllovenisë, Austrisë dhe vendeve të tjera të pasura të Bashkimit Evropian./Opinion.al