Prej fillimit të pranverës, kompleksi “Gjoka” në Sallmone të Shijakut i është rikthyer biznesit të dasmave. Tingujt e muzikës popullore shpërndahen prej restorantit të katit të dytë drejt hapësirës prej rreth 7 mijë metrash katrorë të kompleksit, të shtunën e parë të majit, ndërkohë që dasmorët me veshje shumëngjyrëshe mbushin oborrin e dekoruar ngjitur me hyrjen kryesore.
Atmosfera festive në kompleksin luksoz është në kontrast të thellë me një vendim të Gjykatës së Krimeve të Rënda, që në 5 gusht 2015 urdhëroi sekuestrimin e biznesit kryesor të kompanisë “Gjoka shpk” dhe kalimin e tij në duart e Agjencisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK.
Nëntë muaj më pas, ky biznes vazhdon të gjenerojë të ardhura për familjen e Dashamir Gjokës-i dënuar në Itali si kreu i një rrjeti të shfrytëzimit të prostitucionit.
Kompleksi “Gjoka” nuk është biznesi i vetëm që në letra rezulton i sekuestruar, por në realitet menaxhohet nga të afërm të të dënuarve për krime të rënda, në shkelje të ligjit “Antimafia”.
Dokumentet e siguruara nga BIRN tregojnë se 13 kompani biznesi u sekuestruan me vendim gjykate gjatë vitit 2015, por vetëm njëra prej tyre administrohet nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, AAPSK.
Shqipëria-“një lavatriçe” e parave të pista në Ballkan po përballet me vështirësi prej më shumë se një dekade me sfidën e gjurmimit dhe konfiskimit të parave që rrjedhin nga krimi i organizuar. Rezultatet mbeten të vakëta, ndërsa një raport i Institutit të Bazelit për Qeverisjen e renditi Shqipërinë të parën në rajon për vitin 2015, sa i përket nivelit të lartë të parave të pista që gjenerohen në ekonomi.
E rrethuar nga një mori problemesh, puna e AAPSK në administrimin e kompanive të sekuestruara të biznesit përbën edhe pikën më të dobët të saj, thanë ekspertë të ndryshëm në intervista të veçanta.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se Gjykata e Krimeve të Rënda urdhëroi sekuestrimin paraprak të 7 kompanive të biznesit, të cilat u përkasin tre të dënuarve në Itali për vepra penale të krimit të organizuar gjatë vitit 2015. Gjashtë kompani të tjera, të sekuestruara nga Gjykata e Tiranës i përkasin koorpusit “Beccheti”, biznesmeni italian që akuzohet nga Prokuroria shqiptare për ngritjen e një skeme mashtrimi me vlerë 38 milionë euro.
Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara drejtohet aktualisht nga Artur Kala, ish-kryetar i Partisë Socialiste të Bulqizës. I kontaktuar nga BIRN, Kala refuzoi të intervistohej, por pranoi t’u përgjigjej pyetjeve përmes një zëdhënëseje.
AAPSK i tha BIRN se ka marrë nën ruajtje 7 shoqëri, ndërsa administron plotësisht vetëm njërën nga 13 kompanitë e sekuestruara me vendim gjykate gjatë vitit 2015.
Përballë proceseve të tejzgjatura gjyqësore, vakumit ligjor dhe vendimeve, shpeshherë në kundërshtim me aktet ligjore që rregullojnë punën e saj, AAPSK ka vendosur t’i lërë këto kompani në duart e të dënuarve apo familjarëve të tyre.
Ligji “Antimafia”
Në vitin 2004, parlamenti i Shqipërisë miratoi ligjin “për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafiqeve…”, i ndërtuar sipas modelit italian të ligjit “Antimafia”. Në të njëjtin vit u vendos edhe ngritja e Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara-fillimisht një strukturë e vogël prej 5 personash në varësi të Ministrisë së Financave.
Në pesë vitet e para, Agjencia krijoi një traditë të brishtë në administrimin e pasurive të paluajtshme, por vakuumi ligjor dhe stafi minimal do ta ekspozonin atë përballë një sërë problemesh në trajtimin e çështjeve më komplekse.
Hekuran Vladi, ish-drejtor i AAPSK kujton për BIRN se në vitin 2009 kishte kërkuar me forcë hartimin e një ligji organik, që do t’i krijonte mundësinë Agjencisë të kishte sukses edhe në administrimin e kompanive të sekuestruara të biznesit, por përpjekja kishte dështuar.
Ai tregon se në vitin 2009, legjislatori u mjaftua vetëm me një kapitull për AAPSK brenda ligjit “Antimafia”, çka sipas tij e bën teorikisht të pamundur menaxhimin e një ndërmarrjeje biznesi nga administratorët e Agjencisë.
Vladi e quan veten me fat që në kohën e drejtimit të tij, Agjencisë nuk i ra për pjesë të merrte nën administrim kompani të sekuestruara, ç’ka do ta sprovonte atë me një “sërë ekuacionesh të pazgjidhshme”.
“Do të kisha dhënë dorëheqjen,” përgjigjet ai, duke e quajtur drejtimin e kësaj Agjencie si “punën më të keqe në botë”.
Një prokur i Task-Forcës, i cili foli për BIRN në kushtet e anonimatit tha se ligji “Antimafia” e ka bërë komode punën e prokurorisë në hetimet pasurore, por jo punën e administratorëve të AAPSK. Ai shpjegon se vendimet gjyqësore për sekuestrimin e kompanive i dërgohen AAPSK, ndërsa kjo e fundit përballet me një sërë peripecish ligjore për të kryer një administrim të vërtetë mbi to.
“Problemi është se shumë administratorë bllokojnë shkresat dhe letrat në QKR apo hipotekë, por nuk ndërhyjnë në bordin e administrimit të kompanisë,” tha prokurori.
“…ka probleme ligjore, por duhet ndërhyrë në bordin e kompanisë dhe jo vetëm në letra,” shtoi ai.
Agjencia për Administrimin e Pronave të Sekuestruara dhe të Konfiskuara ofron arsye të ndryshme për secilën prej kompanive që ka dështuar të marrë në administrim. Në përgjigjen për BIRN, AAPSK rendit vendimet e gjykatave, të cilat janë dhënë në kundërshtim të ligjit që rregullon punën e saj e deri tek mungesa e kuotave për të ndërhyrë në bordin e kompanive të sekuestruara si argumente që e pengojnë të kryejë detyrat e veta.
“Probleme dalin në administrimin e bizneseve me vendime të gjykatave, jo konform akteve ligjore që rregullojnë veprimtarinë e AAPSK-së. Në kuadër të reformës në drejtësi, mendojmë se do të përmirësohen edhe këto procedura,” tha Agjencia për BIRN përmes një zëdhënëseje.
Gjatë vitit 2015, Gjykata e Krimeve të Rënda dha 35 vendime sekuestrimesh paraprake ndaj pasurive që dyshohet se kanë prejardhje kriminale, vlera e të cilave shkon në dhjetra milionë euro. Megjithatë, ekziston një hendek i thellë mes sekuestrimeve paraprake dhe pasurive që konfiskohen dhe kalojnë në llogaritë e shtetit.
Nga 35 vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda, vetëm pesë prej tyre janë vendime konfiskimesh. AAPSK i tha BIRN se kishte marrë në administrim vetëm 19 llogari bankare me vlerë mbi 500 milionë lekë, 15 troje, 3 automjete dhe 7 kompani biznesi në vitin 2015, ndërkohë që një sërë çështjesh të tjera janë ende në procese gjyqësore.
Ndryshe nga lista prej 13 kompanish të sekuestruara që ofrojnë Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo e Tiranës, lista e AAPSK është rrudhur në 7 kompani, gjashtë prej të cilave janë themeluar nga Francesco Beccheti.
Sipas Agjencisë, ajo nuk ka marrë ende nën administrim kompleksin “Gjoka” në Sallmone, kompleksin “Ermiri Palace” në Shëngjin dhe katër prej kompanive të rrethit të ngushtë familjar të Fatmir Kajollit.
Dashamir Gjoka mori kontrollin e 100 për qind të aksioneve të kompanisë “Gjoka” shpk në korrik të vitit 2006, kur prokuroria e Milanos po e hetonte për trafikimin e një duzine vajzash nga Europa Lindore drejt Italisë për qëllime prostitucioni.
Ekstakti i kompanisë në QKR tregon se Gjoka i bleu kuotat për 3 900 000 lekë pas vdekjes së vëllait të tij, ndërsa kapitali i kompanisë u rrit në 17 800 000 lekë pas ndërtimit të kompleksit në fshatin Sallmone.
Ndërkohë që drejtonte biznesin e tij në Shqipëri, Dashamir Gjoka u dënua me 10 vjet e 6 muaj burg nga Gjykata e Apelit të Milanos në vitin 2007, dënim i cili u reduktua me 3 vjet falë një amnistie në Itali. Megjithatë, një kërkesë e Prokurorisë së Krimeve të Rënda tregon se telashet e tij në Shqipëri filluan në vitin 2012, kur Prokuroria e Durrësit regjistroi një procedim penal në emër të tij për “pastrim të produkteve të veprës penale”.
I nisur në vitin 2012, hetimi pasuror kundër Gjokës ka dalë me një vendim sekuestroje preventive në gusht të vitit 2015. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi sekuestron e pasurive të tij të paluajtshme me vlerë dhjetra milionë euro, bashkë me kompaninë “Gjoka” shpk dhe ia kaloi ato për administrim AAPSK.
Megjithatë, Agjencia e pati të pamundur të merrte në administrim kompaninë, e cila vazhdon të mbetet në administrimin e Dashamir Gjokës dhe të afërmve të tij.
E pyetur nga BIRN, AAPSK tha se është në pritje të një vendimi përfundimtar të Gjykatës së Krimeve të Rënda “për saktësimin e zbatueshmërisë së tij”.
“Për shkak të pasaktësive në dokumentacionin e këtij vendimi, ai nuk është ekzekutuar nga përmbarimi. Jemi në pritje të zbardhjes përfundimtare të vendimit të Gjykatës së Krimeve të Rënda për ekzekutimin e plotë të tij,” tha AAPSK.
Dokumentet në QKR tregojnë se “vendimi përfundimtar” ka dalë në shkurt të vitit 2016, por Agjencia është mjaftuar sërish me një kërkesë për mostjetërsimin e shoqërisë, pa ndërhyrë në administrimin real të saj.
Njësoj si kompleksi “Gjoka” në Shijak, edhe “Ermiri Palace” në Shëngjin të Lezhës-një pronë me vlerë miliona euro ka mbetur jashtë administrimit të Agjencisë. Biznesi i hotelerisë me ortak Astrit Numanin dhe të afërm të tjerë të tij u sekuestrua paraprakisht nga Gjykata e Krimeve të Rënda në vitin 2015.
Nimani, i njohur me nofkën Titi i Ukës u ekstradua në Itali në vitin 2013, pasi ishte dënuar me 7 vjet burg për trafik droge. Hetimet e prokurorisë italiane tregojnë se ai ka përfituar rreth 10 milionë euro nga trafikimi i lëndëve narkotike, para të cilat dyshohet se janë investuar në Shqipëri.
Pas hetimeve për veprën penale të “pastrimit të produkteve të veprës penale” kundër Nimanit, Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi më 2 gusht 2015 sekuestrimin e tre pallateve 13 katëshe dhe të kompleksit “Ermiri Palace” në plazhin e Shëngjinit.
Megjithatë, ky biznes nuk administrohet ende nga AAPSK.
“Gjykata e Krimeve të Rënda ka pezulluar ekzekutimin e sekuestrimit të kompleksit Ermiri Palace, në zotërim të subjektit Nimani,” tha AAPSK për BIRN.
Në Fier, Fatmir Kajolli ndërtoi perandorinë e tij të biznesit dhe u zgjodh këshilltar i Këshillit Bashkiak të qytetit, para se në Shqipëri të mbërrinin dy vendimet e gjykatave italiane, të cilat e dënonin atë respektivisht me 16 dhe 24 vjet burg për veprën penale të trafikut të drogës.
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka verifikuar në kuadër të ligjit “Antimafia” pasuritë e 27 anëtarëve të familjes Kajolli dhe ka arritur të miratojë në gjykatë sekuestrimin e 22 pronave, mes të cilave 2.1 milionë m2 truall, 1700 metër katrorë ndërtime dhe 5 kompani biznesi.
Sipas vendimit të sekuestros, kompania e ndërtimit “Çitadela” shpk, kompanitë minerare “Alb-Mining 2012” dhe “Albanian Minerals 2012”, kompania e transportit “Aba 2011” si dhe “International Parking 2011” i kalojnë për administrim Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara.
Por AAPSK i tha BIRN se mes 5 kompanive të sekuestruara, administron vetëm atë të transportit Fier-Patos “Aba 2011”.
“Administratori ushtron të gjitha kompetencat e administrimit të aktivitetit këtij biznesi,” i tha Agjencia BIRN.
Katër kompanitë e tjera të biznesit mbeten ende në duart e familjes Kajolli, ndërsa e vetmja gjurmë e sekuestrimit është bllokimi i tjetërsimit të tyre përmes shkresave në QKR. /Marrë nga BIRN