Bota

Talibanët marrin nën kontroll disa kryeqytete kryesore provinciale afgane


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 20:54 - 13/08/21 |
Opi Nion

Talibanët thanë të premten se falë sulmeve të tyre gjatë natës, kanë marrë plotësisht nën kontroll pesë kryeqytetet kryesore provinciale në Afganistan, duke përfshirë Kandaharin jugor, Heratin perëndimor, verilindjen e Qahar-e-Naw, Lashkar Gahin jugor dhe Ghaznin juglindor që ka një rëndësi strategjike.

Kryeqyteti Qalat i provincës jugore Zabul, gjithashtu ra të premten në duart e talebanëve, tha shefi i këshillit të provincës.

Rënia e qyteteve të mëdha lehtësoi përparimet e talebanëve në kryeqytetet më të vogla krahinore, përfshirë Tarinkotin, kryeqytetin e provincës jugore Uruzgan, Firuzkoh, kryeqytetin e Ghorit qendror dhe Pol-e-Alam, kryeqyteti i provincës Logar, që është qyteti i lindjes i Presidentit Ashraf Ghani.

Përmes deklaratave zyrtare talibanët kanë pohuar vënien nën kontroll të këtyre qyteteve të reja ndërsa qeveria e Kabulit nuk i ka kundërshtuar këto pretendime. Në fakt, guvernatori i Uruzganit lëshoi një deklaratë me video ku thotë se udhëheqësit fisnorë dhe politikë i kërkuan atij të mos bënte asnjë rezistencë ndaj talebanëve për të shmangur gjakderdhjen, e në këtë mënyrë ai ia dorëzoi kontrollin talebanëve.

Talibanët konfirmuan të premten se kanë arrestuar ish -guvernatorin e Heratit, kryekomandantin Ismail Khan, së bashku me disa nga ndihmësit e tij të lartë. Megjithatë, më vonë ata thanë se zoti Khan ishte liruar.

Fitoret në përmasa të mëdha i kanë sjellë kryengritësit islamikë një hap më pranë kryeqytetit Kabul, ku qeveria e rrethuar e presidentit afgan Ashraf Ghani nuk po u përgjigjet pyetjeve të mediave për statusin e fushë-betejës.

Zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid tha në një deklaratë të lëshuar të premten në mëngjes se përparimet e tyre të fundit kanë vendosur kontrollin e kryengritësve në 16 nga 34 provincat e Afganistanit gjatë javës së kaluar.

Mujahid paralajmëroi se talebanët ishin të vendosur të përparonin me ofensivat e tyre për të marrë kontrollin e të gjitha provincave, duke u kërkuar forcave afgane të sigurisë në zonat e mbetura të “përfundojnë rezistencën dhe të mos rrezikojnë jetën e tyre”.

Kandahari, qyteti i dytë më i madh i Afganistanit, ishte prej disa ditësh nën sulmet e talebanëve.

Zëdhënësi i talebanëve Qari Yousuf Ahmadi, që mbulon operacionet kryengritëse në Afganistanin jugor, pohoi të premten se Lashkar Gah, kryeqyteti i provincës Helmand në jug gjithashtu kishte rënë nën kontrollin e talebanëve. Zyrtarët afganë nuk komentuan menjëherë mbi rënien e Lashkar Gahit, siç ka kenë rasti për humbjet e tjera në fushën e betejës gjatë dy ditëve të fundit.

Forcat e sigurisë të qeverisë afgane janë përpjekur të ngadalësojnë përparimet e shpejta të kryengritësve gjatë një jave.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin folën me kryeministrin Ghani për ta informuar se Uashingtoni po zvogëlonte praninë civile në Kabul në dritën e situatës të sigurisë në zhvillim.

“Sekretari Blinken pohoi se Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të mbështetur një zgjidhje politike të konfliktit,” tha në një njoftim Departamenti i Shtetit pas bisedës.

Kritikët dhe ekspertët ushtarakë ndërkombëtarë janë të tronditur nga mënyra se si forcat afgane të stërvitura të sigurisë, me një investim prej dhjetëra miliarda dollarësh, janë përkulur përballë përparimeve të kryengritësve.

Ghazni, kryeqyteti i provincës me të njëjtin emër, ndodhet në autostradën kryesore që lidh Kabulin me Kandaharin. Ai lidh kryeqytetin kombëtar me provincat jugore, bastionet tradicionale të talebanëve.

Paralajmërimi i Britanisë

Sekretari britanik i Mbrojtjes Ben Wallace paralajmëroi të premten se Afganistani rrezikon të bëhet një shtet i dështuar dhe parashikoi se al-Kaida do të lulëzojë përsëri në vend.

“Unë jam absolutisht i shqetësuar se shtetet e dështuara janë baza e radikalizimit për ata lloj njerëzish,” tha ai për kanalin Sky News.

Disa orë më parë sekretari Wallace njoftoi se Britania do të dërgojë qindra parashutistë të gatshëm për luftime në Kabul për të ndihmuar në evakuimin e më shumë se 4,000 britanikëve dhe deri në 2,000 afganëve, të cilët ka të ngjarë të vriten nga talebanët pasi kanë ndihmuar ushtrinë britanike.

Dislokimi do të thotë që Britania do të ketë të njëjtin numër trupash në vend – 750 – para se forcat e NATO-s të fillonin të tërhiqeshin muajin e kaluar nga Afganistani./ VOA

Pas