Bota

Talebanët kontrollojnë aeroportin e Kabulit


Bëhu pjesë e Grupit Zyrtar të Opinion.al
>> KËTU <<
               Publikuar në : 18:13 - 31/08/21 |
Opi Nion

Talebanët festuan të martën largimin e forcave të huaja nga Afganistani, duke e quajtur atë “një mësim për pushtuesit e tjerë”, por kërkuan marrëdhënie të mira me Shtetet e Bashkuara dhe pjesën tjetër të komunitetit ndërkombëtar.

Duke folur para gazetarëve, zëdhënësi i talebanëve, Zabiullah Mujahid, përgëzoi Afganistanin, duke thënë se largimi i forcave të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara ishte një fitore “që na përket të gjithë neve”.

I rrethuar nga një njësi e forcave elite të grupit Badri në aeroport, ai i këshilloi ata që të mos silleshin ashpër me qytetarët afganë.

“Trajtoni popullsinë afgane mirë”, u tha ai ushtarëve. “Publiku e meriton këtë.” Ai gjithashtu u kujtoi atyre se janë “shërbëtorët” e popullit dhe nuk duhet të tregoheshin të ashpër me bashkëatdhetarët e tyre.

Talebanët kanë premtuar se do të hapin aeroportin për fluturime komerciale sa më shpejt që të jetë e mundur. Megjithatë, një pjesë e infrastrukturës së aeroportit u dëmtua gjatë ditëve të para të pushtimit të Kabulit nga talebanët, kur mijëra afganë, të frikësuar nga ardhja e grupit militant në pushtet, u mblodhën rreth tij dhe shumë prej tyre arritën të hynin brenda.

Disa afganë gjetën vdekjen në përpjekjet për të hyrë në një avion ushtarak C-17 ndërsa ai po nisej nga aeroporti.

Trupat e fundit amerikane u larguan nga Afganistani para skadimit të afatit të 31 gushtit të caktuar nga Presidenti amerikan Joe Biden.

Kreu i Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara, gjenerali Kenneth “Frank” McKenzie tha të hënën se avioni i fundit amerikan u largua nga Kabuli pak para mesnatës, sipas kohës lokale, një minutë përpara skadimit të afatit të tërheqjes.

Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tyre të koalicionit ndihmuan në evakuimin e më shumë se 123,000 civilëve nga Afganistani, edhe pse shumë të tjerë u lanë pas.

“Talebanët janë angazhuar për një tranzicion të sigurt dhe bota do t’i mbajë përgjegjës për angazhimet e tyre”, tha gjenerali McKenzie./ VOA

Pas