Nuk ka një dakordësi mes Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut pas takimit të kësaj të hëne në Prishtinë, në përpjekje për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Ka qenë Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, i cili pas takimit u shpreh për mediat se çështja e presidentit konsiderohet e mbyllur nga ana e partisë së tij.
“Vetëvendosje e konsideron që presidenti të jetë i tyre. LDK e konsideron këtë çështje të mbyllur. Kemi bërë mjaft, s’mund të bëjmë më tepër”, u shpreh Abdixhiku.
Kujtojmë se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit skadon më 28 prill dhe nëse nuk arrihet zgjedhja e presidentit brenda afatit të përcaktuar, vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Për momentin, detyrën e presidentit e ushtron kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit në fillim të prillit.

















