Pas reagimit të ambasadores së SHBA, Yuri Kim për takimin e zhvilluar me ambasadorit Del Monaco, prezenca e OSBE në Tiranë ka publikuar detaje nga diskutimi.
Në një postim në rrjetet sociale, prezenca e OSBE thotë se ambasadori Monaco dhe kryediplomatja Kim kanë rënë dakord që të forcojnë punën e tyre të përbashkët për fuqizimin e Gjykatës Kushtetuese dhe SPAK-ut.
“Gjithmonë kënaqësi takimi me ambasadoren e SHBA në Shqipëri. E falënderuam atë për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe të vazhdueshëm me OSBE në Shqipëri, për aspekte të shumta të shtetit të së drejtës dhe zbatimit të ligjit, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar. Ramë dakord të forcojmë punën e përbashkët për një Gjykatë Kushtetuese dhe SPAK. Shprehëm inkurajimin tonë që Shqipëria të mundësojë votimin nga jashtë vendit, siç përcaktohet në Kushtetutë, dhe mbetemi të gatshëm të japim ndihmën tonë”, thuhet në mesazhin e Prezencës së OSBE në Tiranë.