Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së Enkelejd Alibeaj ka folur këtë të martë për zgjedhjen e presidentit të ri.
Në një deklaratë për mediat Alibeaj tha se presidenti përfaqëson unitetin e popullit dhe se në procesin e zgjedhjes së kreut të shtetit duhet respektuar Kushtetuta.
“Presidenti i Republikës është kryetari i shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit. Është më i rëndësishëm procesi sepse nëse është gjithëpërfshirës besoj se do të japë produktin e duhur. Duhet të nisë me këmbën e mbarë duke respektuar Kushtetutën. Për këtë arsye unë besoj që, në një ngjarje kaq të madhe, procesi do të duhet të jetë transparent dhe gjithëpërfshirës. Të gjithë e dimë që në raundin e 4-5, zgjidhet me votat e maxhorancës kjo nuk duhet përdorur si një mjet për ta futur në zarf, kjo e bën groteske dhe joserioze”-tha Alibeaj.
I pyetur a do shkojë në tryezën e konsultimeve të thirrur nga mazhoranca për kandidaturën për kreun e ri te shtetit, Alibeaj tha: “E kam thënë, grupi parlamentar i PD do të mbajë qëndrimin e vet. Tashmë është bërë rutinë mbledhja e grupit. Do të diskutojmë në grup për qëndrimet që do mbajmë. Grupi do të vendosë për qëndrimin dhe procedurat. Nuk është president i deputetëve por i shqiptarëve”.