TIRANË- Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka mbajtur një fjalim të gjatë sot për rreth dy orë ku foli për shumë çështjet dhe komentoi ngjarjet e fundit kriminale në vend. Ai tha nuk është faji i policisë se njerëzit vrasin për shkaqe banale. “Nuk ka përgjegjësi policia e shtetit kur një person nuk gjen grua dhe vret dy vëllezër. Dhe as kur një bashkëfshatar vret një njeri për prerjen e një plepi. ” deklaroi ministri Tahiri.
“Detajet ne lidhje me vrasjen në Shkodër do bëhen publike, sigurisht jo nga unë, po kur hetimi të ketë përfunduar”, tha ai i pyetur nga gazetarët. “Policia ka qenë në krye të detyrës për kapjen e autorit. Policia ka bërë detyrën më së miri për kapjen e autorit brenda 48 orëve. Nëse do thoni u dorëzua dhe nuk u kap, ky është një debat që unë refuzoj ta bëj”, vijoi ministri i Brendshëm.
Tahiri: Vrasjet nuk janë shtuar
“Statistikat nuk i keni të sakta. Në muajin janar vjet kishte 3 vrasje, këtë vit 4 dhe para 3 vitesh 11 vrasje”, tha ministri i Brendshëm. “Ka arsye të cilat kanë të bëjnë me shkaqe sociale, demografike, dhe me shkaqe stinore. Kjo në kohën kur institucionet janë të impenjuara me çështje të tjera. Ajo që është e rëndësishme është rezultati vjetor, dhe jo ai ditor”, vijoi ai.