TIRANE- Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, gjatë homazheve për efektivin e FNSH-së, Simon Gjeta, vrarë në krye të detyrës tha se gjyqtarët e korruptuar bëjnë pazare në kurriz të uniformave blu që përballen çdo ditë me krimin dhe kriminelët.
“Simoni humbi jetën por shumë të tjerë janë të kërcënuar përditë nga drejtësia që jep tepër rrallë ndëshkimin e merituar. Para pak ditësh dy të rinj u arrestuan sepse vranë në mes të Tiranës dy të rinj të tjerë, plagosën një të tretë dhe vetëm fati donte që e gjitha të mos kthehej në një masakër. Por shumë pak e dinë që autorët e kësaj ngjarje ishin arrestuar vetëm pak muaj më parë nga policia dhe ishin lënë të lirë nga drejtësia”. Kështu u shpreh ministri Tahiri, që ceremonia për policin e vrarë i erdhi në shteg për të fshikulluar edhe njëherë gjykatat. “ Drejtësia nuk quhet më ‘e merituar’, por ‘e dakordësuar'”, theksoi disa herë Tahiri.