Duke filluar nga muaji tjetër, Policia Rrugore do fillojë masat paraprake sensibilizuese për përdorimin e celularit në makinë. Dhe paralelisht do të ndërhyhet në Kodin Rrugor për ashpërsimin e ligjin.
Sipas ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri do të merrem masa radikale për ta bërë edhe përdorimin e celularit, njëlloj si rripin e sigurimit, një gjë tërësisht të palejueshme në drejtimin e automjetit.
“Ka nevojë për t’u ndryshuar Kodi Rrugor dhe për këtë arsye do të shtojmë masën e gjobës për ata që përdorin celularin në drejtimin e mjetit. Nga ana tjetër do aplikojmë masën e sotme maksimale. Policia Rrugore do të përdorë këtë si një pretekst të nevojshëm për të futur në kontroll total çdo person që përdorë celularin në drejtimin e automjetit. Çdo person me celularë në dorë duke i dhënë makinës është një rrezik publik. Ne do e quajmë si stacionin e dytë, gurin kilometrik të dytë, për të arritur gjithçka është e mundur nëpërmjet masave sensibilizuese dhe ndëshkuese në mënyrë që rrugët tona të jenë më të sigurta”, tha Tahiri.
Ashtu si për rripin e sigurimit, edhe për përdorimin e celularit në timon pritet që gjobat të variojnë nga 5 deri në 15 mijë lekë të reja.