Jorida Tabaku, deputetja e Partisë demokratike, ka reaguar pas kërkesës së SPAK që i kërkon Kuvendit autorizimin për arrestimin e Arben Ahmetajt.
Në fjalën e saj, Tabaku i bëri thirrje Ahmetajt që të bashkëpunojë me SPAK që t’i shkohet deri në fund aferës së Inceneratorëve.
“Kam një thirrje për Ahmetajn, thirrja imë është bashkëpunoni me drejtësinë, SPAK, shqiptarët kanë nevojë që ti shkohet kësaj afere deri në fund”,-tha Tabaku.
Deputetja demokrate kërkon nga SPAK që të bashkohen në një dosje hetimet për Inceneratorin e Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, ndërsa thotë se ato tashmë duhet të kalojnë në pronësi të Bashkive dhe të vihen në punë. Për Inceneratorin e Tiranës, Tabakk kërkon që të ndërpriten pagesat.
“Sot paratë janë duke u paguar për Tiranën, në këto kushte besoj se këto duhet ti kalojnë në pronësi bashkive dhe duhet të marrin në administrim këto djegësa për të parë se si mund të vendosen në dispozicion. Është për Tiranën, s’ka incenerator, vetëm landfill, të ndërpriten pagesat menjëherë”, tha Tabaku.