Ashtu siç edhe pritej, Sylvinho ka lënë sërish në tribuna tre futbollistë kuqezi për duelin me Letoninë. Portieri Mario Dajsinani dhe dy mesfushorët, Medon Berisha dhe Adrion Pajaziti, nuk do të kenë mundësi të zbresin mbrëmjen e sotme në fushën e lojës.
Referuar sfidës së shkuar me Serbinë, ai që përfiton është vetëm Adrian Bajrami, i cili federohet për shkak të pezullimit të Berat Gjimshitit. Madje, mbrojtësi mund të “gradohet” edhe titullar ndaj Letonisë, kjo duke parë edhe gjendjen e Arlind Ajetit.
31-vjeçari u stërvit i diferencuar në seancën e fundit, me Sylvinhon që do të presë deri në momentet e fundit për të parë situatën e mbrojtësit.
Kjo mund të ndryshojë planet e teknikut për formacionin që do të hedhë në fushën e lojës. Në varësi të situatës, qendra e mbrojtjes do të jetë totalisht e ndryshme nga ajo e së shtunës. Ismajli dhe Kumbulla janë kandidatë për t’u aktivizuar si titullarë.
Dyshja ka qenë së bashku në fushë edhe në duelin e tetorit të shkuar kundër Republikës Çeke, përballje ku qëndruan në fushë për 90 minuta në atë humbje 2-0. Klan News