Paketa anti-KÇK e prezantuar nga kryeministri Edi Rama, ligjëron krijimin e një super-strukture hetimore të paprecedentë brenda Policisë së Shtetit. Në shënjestër të saj do të jetë çdo person i dyshuar si i përfshirë në krim të organizuar, krime të rënda dhe terrorizëm, si dhe çdokush që përfiton prej tyre, përfshi edhe familjarët. Ligji i heq prokurorisë monopolin e përgjimit të personave në hetim, duke ia dhënë këtë të drejtë edhe policisë.
Sipas ligjit, policia mund të kufizojë lirinë e lëvizjes së individit, pa një vendim gjykate. Kjo bëhet përmes marrjes së pasaportës së personit dhe pezullimin e vlefshmërisë për çdo dokument tjetër të barasvlershëm.
Drejtuesi i emisionit Opinion pyeti Zv/Ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari nëse ka garanci që kjo polici nuk do të keqpërdoret për interesa politike.
Blendi Fevziu: Kush më garanton mua që nesër grupi i punës nuk thotë që ta zëmë zoti Basha, zonja Kryemadhi ose një kundërshtar tjetër politik ka të ardhura të pa justifikueshme sipas tyre dhe të vihet në përgjim të plotë dhe ky përgjim nuk përdoret pastaj për indicien bazë që ka, që mund të jetë dhe fake, por përdoret për interesa politike?
Besfort Lamallari: Çdo politikan, përfshirë edhe mua bën deklaratë të pasurisë. Që në këtë pikë, është e pakuptimtë sesi deri më sot për shembull këta persona që kanë pasuri, vila, makina luksoze që e shfaqin edhe haptazi fare dhe ata minimalisht nuk bëkan një deklaratë të tillë. Dhe është shumë e thjeshtë, të gjitha organet kompetente, mjafton të bëjnë verifikim të tyre dhe do të kuptojmë që cilat shtesat e pasurisë dhe burimi i pasurisë.
Blendi Fevziu: Po nëse ju vini në punë përgjimin e telefonave, përgjimin ambiental, marrjen e të dhënave telefonike, pastaj ku shkojmë? Se mund të përgjoni një deputet, një shef të opozitës, një person të rëndësishëm që mund të përdoret politikisht po them.
Besfort Lamallari: Çdo ligj, përfshirë edhe paketa Antimafia, edhe aty jam i bindur që edhe në atë kohë ka pasur shumë alarm, shumë frikë.
Blendi Fevziu: Po, por ka pasur një harmonizim mes institucioneve, kurse në këtë rast nënkomisari i policisë të ve telefonin nën përgjim./ Opinion.al