Mëngjesin e sotëm është sulmuar sërish Policia Kufitare në veri të Kosovës.
Sipas KosovaPress dyshohet që sulmi në Leposaviq ka ardhur nga vendi i quajtur Mure, që është në territorin e Serbisë. Sipas informacioneve të para, jozyrtare, policia është sulmuar me eksploziv. Deri më tani nuk dihet nëse ka të lënduar nga ky sulm.
Gjatë një konference për media ditën e premte, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, si dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti njoftuan për 4 sulme të ndryshme ndaj zyrtarëve policorë në vetëm tri ditë. Sipas ministrit Svelça këto janë përpjekje të Serbisë për të destabilizuar Kosovën.
Gjatë ditës së djeshme, Shtetet e Bashkuara dhe KFOR dënuan ashpër sulmet ndaj policëve të Kosovës.