6 të vdekur dhe të paktën 7 persona u raportuan të plagosur pas sulmit të armatosur në Ramot, pjesë e Jeruzalemit verior. Ngjarja ndodhi mëngjesin e kësaj të hëne kur dy persona të armatosur iu afruan dhjetëra njerëzve që po prisnin autobusin në stacion duke hapur zjarr e duke krijuar kasapanë në vend.
Në videot e shpërndara në rrjete sociale dhe nga kamerat e sigurisë në zonë, duken njerëz që largohen në panik dhe dëgjohen të shtëna. Dy terroristët u vranë në vendin e ngjarjes por jo nga policia. Më vonë u konfirmua se ata u ekzekutuan nga dy izraelitë që ishin pranë vendit të ngjarjes. Pamjet e autorëve të vrarë u shpërndanë më vonë me të dy vrasësit që duken të shtrirë në një trotuar.
Hamasi reagoi pas ngjarjes duke mos marrë përsipër autorësinë e aktit por tha se veprimi i dy vrasësve ishte heroik, ndërsa iu bëri thirrje të gjithë palestinezëve të reagojnë kundër pushtuesit.
Benjamin Netanyahu këtë të hënë duhej të ishte në seancën gjyqësore të radhës, por e anulloi atë. Mbrojtja e tij njoftoi se për shkak të situatave të krijuara ai nuk do të paraqitej. Kreu i qeverisë së Izraelit mblodhi menjëherë autoritetet e sigurisë kombëtare ndërsa më pas iu drejtua vendit të ngjarjes.
Nga aty Netanyahu konfirmoi se dy terroristët u vranë nga dy besimtarë ultraortodoksë.
















