Tre persona humbën jetën si pasojë e një sulmi me armë zjarri ndaj një autobusi që transportonte nxënës. Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e djeshme, në fshatin Gllogjan të Deçanit, në Kosovë.
Ndërsa Policia e Kosovës jep detaje të reja që zbulohen mbi sulmin, ka informuar se mbi autobusin e nxënësve të jetë qëlluar me një armë zjarri AK-47.
“Është raportuar se një autobus derisa ishte duke bartur udhëtarë (nxënës) është sulmuar me armë zjarri (dyshohet të jetë AK-47) nga një i dyshuar i panjohur. Në këtë rast lëndime vdekje-prurës ka pësuar drejtuesi i autobusit, viktima mashkull kosovar, vdekjen e të cilit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Ndërsa tri viktima, dy meshkuj dhe një femër (nxënës) janë dërguar në Spitalin Rajonal Pejë, dy prej tyre kanë ndërruar jetë (një mashkull dhe një femër ) ndërsa viktima tjetër është duke u trajtuar në spital”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Gjithashtu bëhet e ditur se deri më tani nuk ka asnjë person të arrestuar për ngjarjen e rëndë, ku mbetën të vrarë shoferi dhe dy nxënës./Opinion.al