Bilanci i viktimave nga sulmi me armë zjarri në plazhin Bondi në Sidney të Australisë ka shkuar në 16. Siç raportojnë mediat e huaja, 40 persona të tjerë ndodhen ende të shtruar në spital, disa prej tyre në gjendje të rëndë.
Mes viktimave ndodhen edhe një vajzë 12-vjeçare dhe një rabin (udhëheqës fetar hebre), ka bërë të ditur një përfaqësues i komunitetit hebre.
Sulmi ndodhi gjatë një aktiviteti të komunitetit hebre, ku qindra persona ishin mbledhur për të festuar ditën e parë të Hanukës.
Autoritetet australiane e kanë shpallur ngjarjen zyrtarisht akt terrorist.
Kryeministri australian, Anthony Albanese, e cilësoi sulmin si “një akt të së keqes, antisemitizmit dhe terrorizmit që ka goditur zemrën e kombit”, duke theksuar se “një sulm ndaj hebrenjve australianë është një sulm ndaj çdo australiani”.
Policia konfirmoi se ka dy autorë të dyshuar: njëri është vrarë gjatë sulmit, ndërsa tjetri ndodhet në spital në gjendje kritike për jetën.
Gjithashtu, forcat e rendit kanë bërë të ditur se kanë gjetur dhe neutralizuar mjete shpërthyese në një automjet pranë vendit të ngjarjes.
Hetimet për zbardhjen e plotë të sulmit vijojnë.














