Kryeministri Edi Rama thotë se sulmi kibernetik në sistemin TIMS nuk e ka arritur qëllimin për të cenuar të dhënat.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Rama shkruan se sistemet e pikave kufitare janë në punë që prej mëngjesit të sotëm.
Edhe pse prej kohësh të dhënat personale të qytetarëve shqiptarë janë publikuar dhe qarkullojnë në portale, kreu i qeverisë i cilëson këto deklarata politike dhe “thashethemeve digjitale”.
“Sistemet e pikave kufitare janë në punë qysh prej mëngjesit të sotëm. Përtej ndjesisë së rëndë që krijon penetrimi në këto sisteme, njësoj si kur të hyjnë në shtëpi e të vjedhin, fakti është se agresioni nuk ia ka arritur asfare qëllimit, asnjë zhdukje a rrjedhje serioze të dhënash! Dhe përtej cinizmit e përqeshjeve tipike të klubit të madh të thashethemeve digjitale, ushqyer nga ulëritës profesionistë dhe kinse strategë marrëdhëniesh ndërkombëtare, Shqipëria teknikisht ka rezistuar më së miri, ndërsa politikisht ka bërë një investim tejet të dobishëm”,-shkruan Rama./Opinion.al