Pas deklaratës së presidentit rus Vladimir Putin për bisedime me Ukrainën, Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar duke thënë se kjo ofertë është “diplomaci jo reale”.
Në një komunikim me gazetarët në Uashington, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Ned Price tha se diplomacia nuk mund të zhvillohet “nën tytën e armës”.
Që të zhvillohet diplomacia, veprimi ushtarak rus në Ukrainë duhet të ndalet dhe forcat ruse duhet të tërhiqen, tha ai.
Deri më tani, shtoi Price, SHBA-të nuk kishin parë asnjë shenjë se Putini ishte i gatshëm të lejonte suksesin e diplomacisë. Më herët, Kremlini tha se Putini ishte “gati” për bisedime të nivelit të lartë me një delegacion ukrainas në Bjellorusi rreth adoptimit të “neutralitetit” dhe “çmilitarizimit” të vendit.