Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka folur këtë të Mërkurë në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për Dezinformimin.
Ai vuri theksin te mbrojtja ndaj dezinformimit, në kuadër të së cilës Shqipëria po bashkëpunon ngushtë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n. Po ashtu, tha se ministria është në kontakt të vazhdueshëm me Këshilluesit e Sigurisë në zyrat e Google.
Fjala e plotë e ministrit:
Të nderuar anëtarë të Komisionit, së pari, dua të shpreh mirënjohjen për mundësinë që më ofroni të raportoj para këtij Komisioni të Posaçëm mbi një nga sfidat më të mëdha dhe gjithnjë e më shqetësuese të kohës sonë: dezinformimi. Ky fenomen po përballet nga çdo shtet, përfshirë edhe Shqipërinë, dhe po dëmton çdo shtyllë të shoqërive tona demokratike. Në një kohë kur informacioni i rremë dhe manipulativ shpërndahet me qëllim të manipulimit të opinionit publik, polarizimit të shoqërivë dhe minimit të besimit tek institucionet, është e rëndësishme të kuptojmë se dezinformimi nuk është thjesht një mjet për të krijuar konfuzion. Është një armë që po përdoret për të destabilizuar, për të ndikuar në proceset politike dhe për të minuar demokracinë, duke përdorur mekanizma të sofistikuar për të mbështetur agjenda të dëmshme.
Dhe kur sfidat dhe kërcënimet hibride janë në rritje dhe kanë marrë një karakter global, dialogu kombëtar, por dhe ai ndërkombëtar është më i domosdoshëm se kurrë. Rritja e qëndrueshmërisë në infrastrukturën kritike të informacionit, bashkëpunimi rajonal dhe ndërkombëtar, dhe shkëmbimi i eksperiencave më të mira janë masa të nevojshme për të përforcuar qëndrueshmërinë kombëtare për të ardhmen.
Ballkani Perëndimor, përfshirë vendin tonë, ndikimet e jashtme që shpesh janë të lidhura me dezinformimin dhe manipulimin e informacionit janë të pranishme dhe përbëjnë një kërcënim real për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit. Dhe ju jeni brifuar nga shumë prej paraardhësve të mi në këtë tryezë.
Në këtë kontekst, rajoni jonë vazhdon të përballet me sfida të shumta, duke nisur nga problemet e brendshme politike, deri tek influenca dhe aktivitetet hibride të aktorëve të jashtëm, të cilët ju e dini mirë se kush janë. Ne po përballemi me përdorimin e taktikave hibride, ndryshime thellësore politike, dhe përpjekje për të trazuar paqen dhe integrimin Euro-Atlantik të vendeve tona.
Si një partner i besueshëm dhe i qëndrueshëm i Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Shqipëria është e angazhuar të përballet me këto sfida dhe të kontribuojë në forcimin e qëndrueshmërisë rajonale dhe ndërkombëtare. Për këtë qëllim, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka ndërmarrë disa hapa të rëndësishëm për të përmirësuar mbrojtjen ndaj dezinformimit. Bashkëpunimi ndërkombëtar zhvillon mekanizma efektivë që ndihmojnë për parandalimin dhe reagimin ndaj kërcënimeve hibride, që përfshijnë në thelb dezinformimin.
Ky bashkëpunim përfshin organizata si Bashkimi Evropian, NATO dhe OSBE, por edhe mekanizma relevante që ofrojnë mbështetje teknike dhe financiare.
Një arritje e rëndësishme në këtë drejtim është nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit me SHBA-në më 15 shkurt të këtij viti, për luftimin e dezinformimit dhe për rritjen e ndërgjegjësimit publik lidhur me rreziqet që sjell manipulimi i informacionit. Ky bashkëpunim do të lejojë zhvillimin e politikave të përbashkëta për të luftuar dezinformimin dhe për të përmirësuar aftësitë tona për të reaguar ndaj kërcënimeve hibride.
Një marrëveshje të ngjashme e kemi në diskutim dhe do ta firmosim shpejt edhe me një vend fqinj, aleat dhe partner të rëndësishëm, siç është Italia.
Në këtë kuadër, Shqipëria është bërë gjithashtu anëtare e Qendrës Evropiane të Ekselencës për Kërcënimet Hibride në Finlandë, Helsinki, duke u bërë zyrtarisht anëtari i 36-të i saj, dhe vendi i fundit anëtar i NATO-s që i bashkohet kësaj qendre, e cila përfshinë vendet anëtare të NATO-s dhe BE-së.
Ky bashkëpunim do të mundësojë të zhvillojmë dhe implementojmë praktika të avancuara për të adresuar kërcënimet hibride dhe dezinformimin. Pjesëmarrja jonë në këtë platformë do të forcojë kapacitetet tona dhe do të rrisë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar për të luftuar këto kërcënime që nuk njohin kufij.
Po ashtu, Shqipëria është duke punuar ngushtë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n për të adresuar kërcënimet e dezinformimit. Në kuadër të BE-së, ne po punojmë për të përmirësuar politikat dhe instrumentet e menaxhimit të kërcënimeve hibride dhe manipulimit të informacionit nga aktorët e huaj, si dhe për të përmirësuar kapacitetet e institucioneve tona për të përballuar këto sfida.
Do doja të përshkruaja bashkëpunimin me Bashkimin Europian dhe NATO, në kuadër më të gjerë. Përsa i përket bashkëpunimin me Bashkimin Europian, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka prioritet të vazhdojë linjëzimin e politikave ekzistuese kombëtare me Kornizën e BE-së dhe iniciativa të tjera kundër kërcënimeve hibride dhe manipulimit të informacionit nga aktorë të huaj. Kjo punë është në përputhje me objektivat dhe prioritetet e Busullës Strategjike të BE-së.
Qasja e Shqipërisë për menaxhimin e kërcënimeve hibride përshtatet me Tablonë e BE-së për Kërcënimet Hibride. Strategjia për luftimin e kërcënimeve hibride nxjerr në pah një nevojë për një bashkëpunim më të mirë ndërinstitucional, e cila përfshin struktura të ndryshme të sigurisë kombëtare.
Në kuadër të Kapitullit 31, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke marrë shkas nga rreziku në rritje i manipulimit të informacionit nga aktorë të huaj, ka propozuar shtimin e një neni të veçantë për Foreign Information Manipulation and Interference (FIMI), (ndërhyrja manipulative në informacion nga faktorë të huaj) që reflekton angazhimet dhe detyrimet kombëtare në përputhje me politikën e BE-së në këtë drejtim.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme po luan një rol të rëndësishëm në komunikimin strategjik dhe menaxhimin e dezinformimit, duke ndjekur modelin e Komunikimit Strategjik të Shërbimit Evropian për Veprimin e Jashtëm (EEAS). Kjo përfshirje thekson nevojën për një qasje të koordinuar të qeverisë për të adresuar ndërhyrjen manipulative në informacion në mënyrë sa më gjithëpërfshirëse.
Ne jemi të angazhuar të linjëzojmë kornizën tonë ligjore, kornizën ligjore të Republikës së Shqipërisë me Rregulloren e BE-së 2021/784, e cila adreson shpërndarjen e përmbajtjes terroriste në internet, brenda vitit 2026. Kjo iniciativë reflekton angazhimin e Shqipërisë në integrimin e vlerave të BE-së dhe rritjen e kapaciteteve për të menaxhuar përmbajtje të dëmshme online.
Përsa i përket bashkëpunimi në kuadër të NATO-s, mendoj se, Shqipëria ka përfituar nga një përvojë e vlefshme përmes anëtarësimit në “Rrjetin vullnetar të ekspertëve të NATO-s për dezinformimin”.
Ky rrjet është krijuar për të përmirësuar reagimin ndaj dezinformimit dhe për të siguruar që informatat e rreme të identifikohen dhe adresohen në kohë reale. Të tilla bashkëpunime ndërkombëtare janë jetike për të forcuar mbrojtjen tonë kombëtare dhe rajonale kundër këtyre kërcënimeve. Qëllimi i tij kryesor është operacionalizimi i qasjes së përbashkët kundër informacionit armiqësor dhe dezinformimit, si dhe ndarja në kohë e informacionit dezinformues.
Është për tu theksuar që, Shqipëria ka përjetuar dhe nuk është imune ndaj sulmeve të dezinformimit, që tentojnë të ndikojnë në opinionin publik dhe të minojnë integritetin e politikës apo dhe institucioneve. Këto taktika janë të ndërlidhura me zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, ku ndikimet e jashtme vazhdojnë të përfshijnë manipulime mediatike dhe përhapjen e lajmeve të rreme.
Në raportin e parë për kërcënimet hibride në Ballkanin Perëndimor, NATO ka theksuar rëndësinë strategjike që ka ky rajon për Aleancën. Kjo është një dëshmi e angazhimit të NATO-s për të adresuar këto kërcënime dhe për të rritur bashkëpunimin për përballimin e sfidave të tilla në nivel rajonal.
Do doja të ndaja punën që, bën Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme luftën kundër dezinformimit në platformat digjitale.
Përmes një iniciative të vazhdueshme, në aparatin e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, ne monitorojmë informatat që qarkullojnë në platformat ndërkombëtare dhe sigurohemi që, po e nisë me gjërat më të prekshme që janë emrat, gjeografikë apo informacionet për Shqipërinë.
Dhe ne synojmë, tentojmë, përpiqemi dhe ja kemi arritur maksimalisht qëllimit, që këto informacione të jenë të sakta dhe të njohura jo vetëm për qytetarët shqiptarë, por kryesisht për ata të huaj. Kjo është një pjesë e rëndësishme e përpjekjeve tona për të mbrojtur identitetin kombëtar dhe për të siguruar që informacioni që mbërrin tek qytetarët e Shqipërisë, por dhe tek ata të huaj është korrekt dhe i besueshëm.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme drejton Grupin Ndërinstitucional të Punës për “Vlerësimin dhe standardizimin e informacioneve për Shqipërinë dhe shqiptarët në platformat ndërkombëtare digjitale”. Ne monitorojmë faqet zyrtare të ministrive të jashtme të çdo shteti, veçanërisht ato konsullore, për të siguruar që informacioni mbi Shqipërinë dhe qytetarët tanë të jetë sa më i saktë dhe i besueshëm. Kjo praktikë, e nisur në vitin 2020, ka ndihmuar në identifikimin dhe korrigjimin e informacioneve dezinformuese që janë publikuar në faqet e internetit të disa ministrive të Punëve të Jashtme të vendeve të tjera.
Gjatë monitorimit kemi hasur në pasaktësi të dukshme, siç ishte rasti i njoftimit në faqen e një ministrie të një vendi mik dhe aleat, për të ashtuquajtura “zona të minuara në veri të Shqipërisë.” Pas ndërmarrjes së masave dhe demarsheve nga Ambasadat tona dhe gjithë strukturat, këto pasaktësi janë korrigjuar. Që nga ajo kohë, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme monitoron në mënyrë frekuente të gjitha faqet online, për të siguruar që informacioni i dhënë për qytetarët e huaj të jetë sa më i saktë.
Përveç kësaj, ne kemi angazhuar një kontakt të vazhdueshëm me Këshilluesit e Sigurisë në zyrat e Google. Kemi përcjellë shqetësimet për pasaktësitë në këto platforma dhe, në këtë kontekst, kemi identifikuar deri tani dhe korrigjuar 41 gabime në Google Maps. Këto përfshijnë emra të njohur si Lumi Vjosa, Lumi Buna, Liqeni i Shkodrës, të cilat tani janë të regjistruara saktë në hartën e Google.
Puna jonë është gjithashtu në vazhdimësi me platformën Apple, ku kemi arritur të korrigjojmë emërtimin e lumit Vjosa, i cili tani njihet saktësisht si Lumi Vjosa. Këto përpjekje janë të rëndësishme për ruajtjen e identitetit tonë kombëtar dhe për sigurinë që emrat e vendndodhjeve tona të jenë të saktë dhe të njohur në të gjithë botën.
Në përfundim, dua të theksoj se lufta kundër dezinformimit është një përpjekje që kërkon një angazhim të përbashkët, përmes bashkëpunimit të fortë ndërinstitucional dhe ndërkombëtar.
Është një luftë që nuk fillon apo mbaron në një moment të caktuar. Prandaj, është shumë e rëndësishme që ky angazhim, vjen në mënyrë thelbësore nga Kuvendi i Shqipërisë. Dezinformimi kërcënon jo vetëm vlerat demokratike dhe sigurinë kombëtare, por gjithashtu minon besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore.
Është një përpjekje që duhet të na bëjë më të koordinuar dhe të kemi një qasje sa më të mirë të qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera, për të mbrojtur integritetin e informacionit dhe për të mbështetur vlerat demokratike.
Ne, në Ministrinë për Evropën dhe Punët e Jashtme jemi të përkushtuar që, përmes një angazhimi të qëndrueshëm dhe të ndërgjegjësuar, të rrisim bashkëpunimin dhe dialogun me aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë, për të rritur qëndrueshmërinë e informacionit dhe për të siguruar një të ardhme të qëndrueshme për Shqipërinë dhe për të gjithë rajonin tonë.