Presidenti Bajram Begaj në takimin me Liderët e Procesit të Brdo-Brijunit që po mbahet në Brdo të Sllovenisë foli ndër të tjera edhe për sulmet kibernetike të Iranit ndaj vendit tonë.
Gjatë fjalës së tij, Begaj tha se sulmet kibernetike janë dëshmi e kërcënimeve të rrezikshme nga aktorë të tretë, sulme që sipas tij cënojnë paqen dhe stabilitetin e rajonit. Lidhur me ngjarjet e fundit, Begaj shtoi se ka ardhur momenti që Bashkimi Evropian të përshpejtojë procesin e zgjerimit.
“Para disa javësh, dhe sërish dy ditë më parë, Shqipëria ishte nën sulme të rënda kibernetike, të kryera nga aktorë të lidhur me shtetin iranian. Sulmet kishin nën shënjestër të dhënat e qeverisë, sistemet e sigurisë kufitare dhe ndërprenë shërbimet qeveritare digjitale për një farë kohe.
Kjo ishte goditja e fundit e një liste arsyesh, përse Shqipëria ndërmori veprimin ekstrem të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike me Iranin. Një aktivitet i tillë malinj është dëshmi e padiskutueshme dhe e bazuar në faktet e lojës së keqe të aktorëve të tretë në rajon.
Shpresojmë që BE-ja në tërësi të ketë kuptuar përfundimisht se Koha ka rëndësi!, – se ne duhet të përshpejtojmë procesin e zgjerimit.
Kjo do të ishte përgjigjja më e mirë ndaj lakmisë së vazhdueshme të aktorëve të tretë, për të rritur ndikimin dhe praninë e tyre destabilizuese në rajon.
Pavarësisht ngurrimit të dukshëm, BE-ja ka kapacitetet e nevojshme përthithëse për Ballkanin Perëndimor. Natyrisht, ka pengesa për të kapërcyer.
Disa varen nga ne, por për të qenë të sinqertë, disa edhe nga vetë BE-ja. Disa shtete anëtare të BE-së duhet të kujtohen për rëndësinë e sigurisë dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për shkakun tonë, por edhe për vetë BE-në”, tha Begaj në fjalën e tij./Opinion.al