Një humbje në minutën e fundit të kohës shtesë, sigurisht që të djeg shumë! Por, ajo që ka lënduar edhe më shumë në kampin suedez janë koret dhe ofendimet me sfond racist, e për më tepër me kërcënime për vdekje, të hedhura në drejtim të Jimmy Durmaz, shkaktarit të asaj goditjeje të gabuar nga ku erdhi edhe goli i fitores për Gjermaninë, i shënuar nga Kroos.
Mediet sociale u pushtuan brenda më pak sesa një minute prej atij episodi, deri në atë pikë sa FIFA raportoi për një “lumë mesazhesh” prej mbi 4.000 ndjekësve. Ndërkohë, të dielën gjatë grumbullimit në Gelendzjik, e gjithë skuadra ishte bashkuar në krah të Durmazit, një lojtar me prejardhje nga Siria, në një gjest simbolik përkrahjeje. Një skenë e jashtëzakonshme, ai përqafim i dhënë lojtarit, për të luftuar kështu racizmin.
Por nuk mbeti me kaq. Durmaz rrëmbeu mikrofonin përpara medieve të interesuara, ndërsa pas krahëve kishte të gjithë skuadrën të rreshtuar.
“Jam një futbollist e fakti që kritikohem për diçka me të cilën jetoj, nuk më bën përshtypje pasi është pjesë e punës sonë, ndodh! Por të më quajnë kamikaz, të më kërcënojnë familjen, djemtë e mi, apo të marr kërcënime ndaj jetës është absolutisht e papranueshme. Jam suedez dhe e vesh me krenari këtë fanellë, sikurse përulem me krenari para flamurit tonë. Ndërkohë, dua të falënderoj të gjithë njerëzit e mrekullueshëm atje jashtë që përhapin gëzim. Jemi të bashkuar dhe si suedezë i themi ‘shporru racizmit’”.
Një slogan që u shoqërua me përkrahjen dhe duartrokitjet e të gjithëve.