Policia e Shtetit ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga të gjithë përdoruesit e rrugës, pas motit të keq me erë të fortë, shi dhe stuhi që ka përfshirë disa qarqe të vendit.
Si pasojë e erës së fortë dhe reshjeve të dendura, në disa akse rrugore ka sasi të madhe uji, grumbullim inertesh dhe thyerje pemësh, duke vështirësuar qarkullimin.
Policia apelon që drejtuesit e automjeteve dhe motomjeteve të lëvizin me kujdes maksimal, të ngasin me shpejtësi të reduktuar dhe të shmangin manovrat e rrezikshme.
Kujdes të shtuar kërkohet edhe nga këmbësorët, për shkak të mundësisë së rënies së pemëve, inerteve apo sendeve nga lartësia e pallateve.
“Punonjësit e Policisë në të gjitha Drejtoritë Vendore ndodhen në terren, për të ofruar ndihmë dhe mbështetje qytetarëve në rast nevoje,” thuhet në apelin e Policisë së Shtetit.