Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka thënë se edhe pse reshjet e shiut kanë vijuar pothuaj në të gjithë territorin e vendit gjatë natës, situata paraqitet normale në pjesën më të madhe të qarqeve.
Përmes një postimi në rrjete sociale ai shkruan se ekupet e emergjencave kanë punuar në terren për të garantuar qarkullimin pa vështirësi të qytetarëve.
“Ekipet e emergjencave, koordinuar nga Agjencia e Mbrojtjes Civile, punonjës të drejtorive vendore të rrugëve, zjarrfikëses dhe policisë kanë punuar në terren për të garantuar qarkullimin pa vështirësi të qytetarëve dhe automjeteve”, shprehet ai.
Ministri Peleshi thotë se po punohet për zhbllokimin e rrugëve nga inertet.
“Po punohet në segmentin rrugor Bënçë-Lekdush, në vendin e quajtur “Uji i Varur”, bashkia Tepelenë, në aksin rrugor Picar- Golem, për zhbllokimin e rrugëve nga inertet. Në disa akse rrugore në Shkodër, Dibër, Elbasan, Berat e Korçë po punohet për pastrimin e rrugëve. Ndërsa ekipet e OSHEEE po mundësojnë rilidhjen e energjisë në disa zona të thella të Gjirokastrës, Vlorës, Beratit, Fierit, Korçës, Dibrës e Elbasanit”, tha Peleshi./Opinion.al