Spitalet në Beograd nuk kanë kapacite për të përballuar personat e infektuar me koronavirus, të cilët ditët e fundit janë shtuar ndjeshëm.
Kështu ka njoftuar ministri i Shëndetësisë serb, Zllatibor Lonçar. Sipas tij, dhjetëra pacientë janë dërguar për trajtim në spitalet e Pozharevcit, Smederevës dhe Mlladenovacit.
Pas një takimi me drejtorët e spitaleve, Lonçar theksoi se po punohet në çdo drejtim, për të gjetur mundësi të reja për trajtimin e pacientëve me COVID-19.
“Nëse situata vazhdon me këtë numër të të infektuarve, sistemi shëndetësor do të jetë në telashe”, tha Lonçar.
Ai u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat kundër përhapjes së pandemisë në mënyrë që sistemi shëndetësor të sigurojë ndihmë adekuate për të gjithë.
Serbia, deri më tani, ka regjistruar 17,342 të infektuar me koronavirus. Prej tyre, 352 kanë vdekur.
Që prej paraqitjes së rasteve të para në mars e deri më sot, Serbia ka kryer 471,700 teste për koronavirus.