Elisa Spiropali, kryetarja e Parlamentit të Shqipërisë, përkujtoi me fjalë të mëdha figurën e Ismail Kadaresë, duke theksuar se shkrimtari ynë i madh nuk ka nevojë për lavdërime, pasi ai vetë është lavdia.
Në fjalën e saj, Spiropali e cilësoi Kadarenë si simbol të dinjitetit dhe mendimit vetjak, që ndërtoi një univers të thellë letrar dhe një botë mitike ku shqiptaria gjeti hapësirë të veçantë.
Kryetarja e Parlamentit theksoi gjithashtu se Kadare ishte një kolos i madh, i cili mbijetoi edhe nga kritikët më të ashpër dhe u shndërrua në “pasaportën e Shqipërisë” në botë. Trashëgimia e tij i përket jo vetëm Shqipërisë, por gjithë njerëzimit. Ky përvjetor është një moment nderimi për jetën dhe veprën e tij të paharrueshme.
Pjesë nga fjala e Kryetares së Parlamentit, Elisa Spiropali
Kadare nuk ka nevojë për lavdërime, ai mbetet vetë lavdia. Ai ishte magjik në fjalë, ai mbetet simbol i dinjitetit, i mendimit vetjak. Kadare ishte vëzhgues i hollë i jetës. Në gjëra të përditshme, Ismail Kadare ndërtoi universin e tij të thellë. Kadare ndërtoi një botë personale dhe një tjetër, që ia dhuroi njerëzimit, një botë me përmasa mitike, ku shqiptaria gjente shumë hapësirë.
Kadare i është rikthyer tokës si rrënja më e thellë e shqiptarisë, por i përket qiellit të të gjithëve ne. Kadare ishte një kolos i madh, duke lënë indiferencën ndaj kritikëve pa fund, që donin ta gërvishtnin. Ismail Kadare ishte prijës perëndimor dhe ndër shkrimtarët më të rrallë të kombit tonë. Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë.