Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar urdhër për paraqitjen e ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me hetimet për ngjarjen e “21 Janarit”, ku humbën jetën katër protestues përpara Kryeministrisë.
Sipas dokumentit zyrtar, urdhri është firmosur më 7 nëntor 2025 nga prokurori Alfred Shehu, i cili po heton çështjen penale. Në urdhër thuhet se Berisha thirret për t’u marrë në pyetje si person që ka njohuri për rrethanat e dobishme për hetimin, në kuadër të procedimit penal për veprat:
· “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”,
· “Shpërdorimi i detyrës”,
· dhe “Kryerja e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës.”
SPAK ka dërguar thirrjen në adresën e banesës së Berishës në Tiranë, ndërsa sipas dokumentit, materiali është njoftuar edhe nëpërmjet Postës Shqiptare.














