Hetimet për atentatin ndaj Prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja janë shtyrë me tre muaj.
Në seancën e zhvilluar në Gjykatën e Posaçme, SPAK ka kërkuar shtyrje pasi ka nevojë për hetime të tjera më thelluara, kërkesë që është pranuar nga gjykata.
Më 1 nëntor të vitit 2019, automjeti ku ndodhej prokurori Ndoja ra pre e breshërive të kallashnikovit.
Për pasojë mbetën të plagosur prokurori Arjan Ndoja, Aleksandër Laho, si dhe shoferi i prokurorit Andi Maloku. Ky i fundit, ndërroi jetë pak ditë më pas në spitalin e traumës.
Autorët u larguan në drejtim të Shkafanës, ku braktisën automjetin tip Benz, të cilin nuk mundën ta digjnin dot. Pas këqyrjes nga ana e grupit hetimor, në të u gjendën dy maska, lëndë djegëse, dhe dy kallashnikovët e përdorur në atentat.
Aktualisht për këtë çështje është nën masën e sigurisë “arrest me burg”, Redjan Rraja, dhe personi i dytë i dyshur si bashkëpunëtor në krim, Arjol Halilaj./ Opinion.al