Partia Demokratike e ka cilësuar një dështim të radhës të SPAK, shpalljen e moskompetencës së SPAK të dosjes “Bajri” dhe çuarjen e saj në Prokurorinë e Shkodrës.
Lexo edhe: Dosja e grupit ‘Bajri’ kthehet në Shkodër, shpallet moskompetenca nga SPAK
Nëpërmjet një reagimi në Facebook, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka thënë se rastet konkrete po faktojnë se SPAK është shtojcë e qeverisë.
“SPAK u krijua me fokus të veçantë luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, por rastet konkrete, po e faktojnë si një shtojcë të Qeverisë në mbrojtjen e zyrtarëve të korruptuar dhe bandave kriminale. Pas refuzimit për të hetuar dosjen e zgjedhjeve në Dibër, refuzimi për të çuar para drejtësisë organizatën mafioze me lidhje shtetërore të Bajrave në Shkodër, është një tjetër provë e dështimit të SPAK”, shkruan Bardhi.
Ai shton se ky institucion bëhet i panevojshëm nëse nuk heton organizata të tillë kriminale, vjedhjen e votave dhe korrupsionin në qeveri. /Opinion.al