TIRANE- Policia u bën thirrje qytetarëve të bëjnë kujdes pasi mund të ketë edhe incidente gjatë protestës së sotme të partisë Demokratike. Sipas burimeve gjatë protestës godina e Kryeministrisë mund të qëllohet me gurë dhe vezë e po kështu edhe forcat e rendit.
Policia e Shtetit ka angazhuar një numër të madh forcash. Kordoni i parë i ruajtjes së sigurisë do të jetë nga efektivet femra, mënyrë e zgjedhur prej kohësh nga Ministria e Brendshme për të zbutur sa më shumë përplasjet fizike. Në gatishmëri janë edhe të gjitha forcat e ndërhyrjes së shpejtë.
Burimet thanë se për të siguruar marshiminprotestë të opozitës gjatë së martës në bulevardin kryesor, ky i fundit është parashikuar të qëndrojë i mbyllur nga ora 11:00 deri në 18:00.
Policia e Tiranës njoftoi kufizimin e pjesshëm të qarkullimit të automjeteve në bulevardin “Zogu i Parë”, në Rrugën e Kavajës, atë të Elbasanit dhe bulevardin “Bajram Curri”.
Në njoftimin zyrtar thuhet gjithashtu se ndalohet parkimi dhe qarkullimi i të gjitha kategorive të mjeteve, nga sheshi “Skënderbej”, përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, deri në sheshin “Nënë Tereza”, nga ora 10:00 deri në orën 16:00.