Sheshi i Pengjeve është tashmë i mbushur plot: mijëra njerëz kanë mbërritur nga e gjithë Izraeli për të dëshmuar lirimin e njëzet pengjeve që Hamasi do t’ia dorëzojë Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Pankarta, flamuj dhe një tabelë në muze shkruan: “Paqe mbi Izraelin”.
Të burgosurit e parë tashmë i janë dorëzuar ushtrisë izraelite. Shtatë të parët janë Eitan Mor, prindërit e të cilit zgjodhën të mbështesnin luftën dhe jo negociatat; Gali dhe Ziv Berman, binjakë të rrëmbyer në Kfar Azza së bashku me Emily Damari; Matan Angrest, një ushtar; Omri Miran, më i madhi i grupit, 48 vjeç; dhe Alon Ohel , një pianist që humbi njërin sy gjatë robërisë. Dhe së fundmi, Guy Gilboa-Dalal.
Lirimi i pengjeve izraelite nga Hamasi do të zhvillohet në dy faza: e para në orën 8:00 të mëngjesit sipas orës lokale në korridorin Netzarim, i cili ndan Rripin e Gazës nga lindja në perëndim; e dyta rreth orës 10:00 të mëngjesit sipas orës lokale, në zonën Jan Yunis në jug dhe në kampet në qendër të enklavës.
Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, tashmë në territorin e Gazës, po koordinon dorëzimin e pengjeve nga milicitë palestineze – e cila do t’i çojë ata në bazën Reim pranë kufirit. Atje, ata do t’i nënshtrohen kontrolleve mjekësore dhe do të ribashkohen me familjet e tyre përpara se të evakuohen me helikopter në spitalet në periferi të Tel Avivit: Sheba, Beilinson dhe Ichilov. Ndërkohë presidenti i SHBA, Donald Trump po e ndjek drejtpërdrejt dorëzimin e pengjeve ndërsa ndodhet në bordin e Air Force One, rrugës për në Izrael, njoftoi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt
Në të njëjtën kohë, Hamasi pritet të dorëzojë trupat e 28 pengjeve të vdekuar, megjithëse autoritetet izraelite pranojnë se jo të gjithë mund të gjenden të hënën.