Violinisti Shkëlzen Doli, ansambli i tij dhe muzikantë të Vienës do të sjellin për herë të parë një koncert që për nga programi do të përmbajë disa nga kryeveprat e muzikës klasike, që luhen në të famshmin koncert të vitit të ri të Vienës. Koncerti mbahet sonte në 20:00 në Pallatin e Koncerteve dhe transmetohet live në televizionin Klan.
Ambasadori i Austrisë në Tiranë, Johann Sattler, zbulon disa nga surprizat: Do të luhen pjesë nga Joahnnes Brahms, Franz List dhe sigurisht pjesë muzikore të kompozuara nga familja Strauss të luajtura tradicionalisht në koncertin e Vitit të Ri të Vienës. Pra një sërë kryeveprash, ku përfshihen Danubi Blu e Marshi i Radeckit. Përvec kësaj do të luhen edhe pjesë nga muzika shqiptare, si ajo arbëreshe. Ndërsa gjatë pushimit do të shfaqet një film, i cili prezanton bukuritë e tokës shqiptare, i realizuar së fundmi në Gjirokastër, Prizren, Itali, aty ku jetojnë arbëreshët etj”, tha ai për Tv Klan.