Elvis Rroshi nuk është paraqitur sot në KQZ për të folur rreth dënimeve të tij, për të cilat kërkohet heqja e mandatit. Ai është përfaqësuar nga avokati Theodhori Sollaku. Avokati tha se prokuroria nuk ka prova për krimet e Rroshit. Ai përsëriti dhe një herë se klienti i tij është dënuar në mungesë në Itali.
Sollaku: Eshtë hera e dytë që unë paraqitem në komision. 7 muaj më parë komisioni vendosi që t’i kërkojë prokurorisë thellimin e hetimit pas informacioneve policore. Pas 7 muajve nuk ka ndryshuar asgjë, asnjë hetim i thelluar nuk është bërë. Ligjvënësi ia ka lënë prokurorisë hetimin në bashkëpunim me autoritetet e huaja. E vetmja gjë që ka ndodhur është arrestimi i Roshit, pa asnjë provë, një precedent i rrezikshëm. Në këtë çështje pati një ngutje të tmerrshme. Informacioni që kemi nuk na referon asnjë dokument të ardhur nga autoritetet e huaja. Kërkoj të revokohet vendimi i 7 muajve më parë, që ia drejtuat Prokurorisë së Përgjithshme. Shpresoj ti kërkoni prokurorisë të plotësojë kërkesën që i keni bërë para 7 muajsh.