Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, e ka cilësuar fjalimin e zv/presidentit të SHBA-ve, JD Vance në Mynih, në Konferencën e Sigurisë, si historik.
Përmes një videoje të shpërndarë në faqen e tij në Facebook, pjesë e së cilës është edhe fjala e zotit Vance, Berisha thotë se ato fjalë më shumë se kujtdo tjetër, i shkojnë kryeministrit Edi Rama, të cilin e quan kukull të Xhorxh Soros, që sipas tij ka burgosur 3 liderët e opozitës.
“Këto fjalë i shkojnë më shumë se kujtdo tjetër, Edi Ramës, kukullës së Xhorxh Sorosit në Tiranë, i cili arrestoi tre liderët e partive kryesore opozitare për të marrë një mandat të katërt. Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, tha Berisha në postimin e tij në Facebook.
Ndërkohë kujtojmë se Vance tha gjatë fjalimit të tij se Europa ka lëvizur nga vlerat demokratike, pasi ka arrestime të zyrtarëve të opozitës apo gazetarëve, me qëllime politike.
“Nuk mund të fitoni një mandat në mënyrë demokratike, duke censuruar kundërshtarët, apo duke i arrestuar ata. Pavarësisht, nëse është lideri i opozitës, apo një i krishtertë i përulur i cili po lutet në shtëpinë e tij, apo në gazetar, i cili po përpiqet të raportojë një lajm!”, ka thënë mes të tjerash Vance.