Deklarata e deputetes Ina Zhupa u bë shkak për mbylljen e seancës parlamentare këtë të enjte. Ajo u konsiderua ofendim nga mazhoranca që braktisi Kuvendi. Në dalje, Zhupa tha për gazetarët se i qëndron fjalëve të saj dhe se nuk lejon që ta ofendojnë “burrecë”.
“Ju e keni ndjekur zotin Braçe. Unë nuk lejoj asnjë burrë të më ofendojë, jo më burrecë që të më ofendojnë. Së dyti Gjithçka është publike, i qëndroj fjalëve të mia dhe i qëndroj 100% asaj që thashë, populli i di shprehjet. I qëndroj akuzave me fakte dhe prova për dështimin e kësaj mazhorance në arsim”, tha Zhupa.
Sipas saj, fakti që mazhoranca u largua, ishte inskenim bajat për të mos lejuar Manastirliun të flasë në interpelancë.
“Ishit dëshmitarë të një inskenimi bajat që bëri mazhoranca. Me demek u indinjua nga thëniet e popullit shqiptar dhe nuk ishin indinjuar kur vdiq dhe ndërroi jetë i vrarë në dyert e shkollës Martini ndërsa tre ministre zgërdhiheshin dhe nuk morën asnjë masë për t’u larguar, ndoshta për të shkuar edhe në funeralin e djalit. Ajo që ndodhi sot është inskenim i pastër për të mos lejuar interpelancën, për të mos lejuar Manastirliun të flasë atje gëk-mëk dhe të mos kishte asnjë argument pse 54% e shkollave në Shqipëri nuk kanë oficerë sigurie”, tha Zhupa.